Preç Zogaj: Kastat solidare duan të vendosin monopolin e përjetësisë mbi parti politike. Rini mos pranoni të bëheni dekor!
"8 Dhjetori” përmes veprave të autorëve", organizuar nga Fondacioni për Liri dhe Demokraci (FLD) është aktiviteti që mblodhi ish studentët e dhjetorit për të folur për atë kohë dhe përmbysjen e regjimit.
Preç Zogaj në fjalën e tij tregoi zhgënjimin e këtyre 30 viteve dhe i bëri thirrje rinisë të mos pranohet të bëhet dekor.
Pjese nga fjala e Preç Zogaj
Studentët ia morën partinë Ramiz Alisë.
Demokracia, pushteti, lidershipi nuk është pronë. Prona janë në sisteme të mbyllura. Demokracia, pushteti, lidershipi janë stafetë që trashëgohen nga të gjithë.
Fillimet tona kanë fytyrën e rinisë dhe vazhdimet duhet ti ngjajnë fillimit. Kjo është logjika. Rinia duhet të jetë sërish ajo që prin.
Ky fakt duhej të ishte në bindjen time esenca e demokracisë në Shqipëri. Në kuptimin e qarkullimit të elitave që duhej të ishte bërë një zakon në Shqipëri. Për fat të keq, megjithëse historia fillon kështu studentët e dhjetorit kanë ikur nga Shqipëria, sepse nuk janë pajtuar me asnjë aspekt të kulturës puniste që e shoqëroi historinë e PD dhe shumë prej tyre janë distancuar herët.
Në vështrimin 30-vjeçar shikojmë që në vend që të prodhonte qarkullimin e elitave ka prodhuar më shumë kasta.
Kastat solidare në Shqipëri shpesh kanë bërë teatrin e demokracisë në vend dhe duan të vendosin monopolin e përjetësisë mbi partitë politike, ato janë shkaku i prapambetjes në bindjen time.
Dhe turpi nuk mbaron këtu, sepse njerëzit e kastave që duan të vendosin përjetësinë në parti dhe pushtet e ftojnë rininë për mbushje dhe dekor. Rinia nuk duhet të pranojë kurrë që të bëhet dekor. Rinia ka tjetër mision. Rinia sjell perspektivën, duhet ta marrë në dorë këtë gjë.
Ky 8 Dhjetor është ndryshe nga të tjerët. Jemi në një zhvillim të panjohur në historinë e partisë dhe partisë demokratike. Partia Demokratike është përfshirë në një krizë, në një turbullirë. Jemi të shqetësuar për ne, për ata që s'janë këtu, për bashkimin e partisë demokratike, sepse nuk kemi tjetër si formacion politik.