FMN: Varfëria në Shqipëri më e madhja në rajon, 1/3 e popullsisë jeton me më pak se 5.5 dollarë në ditë
Pandemia dhe tërmeti rritën varfërinë në Shqipëri, ndërsa ajo vijon të jetë më e larta në rajon. por pavarësisht kësaj mbrojtja sociale nga ana e qeverisë shqiptare për popullsinë është ndër më të ulëtat. janë këto gjetjet e fundit në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili thekson se varfëria në vend vlerësohet të jetë rritur me 0.8 pikë përqindje pas tërmetit dhe pandemisë, duke iu rikthyer përkeqësimit të pjesshëm.
Në kulmin e pandemisë gjatë vitit të kaluar, një e treta e popullsisë në Shqipëri, apo 32.6%, konsiderohej e varfër, nga 31.8% vitin e mëparshëm. Në kontrast, mbrojtja sociale për popullsinë është ndër më të ulëtat. Për vitin 2021 niveli i varfërisë pritet të ulet lehtë në 30.8%.
Janë këto shifrat e fundit që vijnë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, i cili në raportin e tij thekson se Shkalla e varfërisë në Shqipëri është një nga më të lartat në Ballkanin Perëndimor, ndërsa mbulimi i saj me mbrojtje sociale është ndër më të ulëtat.
FMN e vlerëson treguesin bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, kur të varfër quhen ata që jetojnë me më pak se 5.5 dollarë në ditë, të matur sipas standardit të barazisë së fuqisë blerëse.
Sipas FMN-së, varfëria në vend vlerësohet të jetë rritur me 0.8 pikë përqindje pas tërmetit dhe pandemisë, duke iu rikthyer përkeqësimit të pjesshëm, pas një periudhe përmirësimi që kishte nisur që nga viti 2014.
“Duke pasur parasysh nivelin e lartë të informalitetit, përqindjet relativisht të ulëta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore dhe burimet e kufizuara të qeverisë, mbulimi i mbrojtjes sociale është ndër më të ulëtit në rajon”, thuhet në raportin e FMN-së.
Në përgjigje të pandemisë, autoritetet zgjeruan me shpejtësi dhe përkohësisht programet ekzistuese të mbrojtjes sociale me rreth 1 për qind të PBB-së në 2020-2021. Por FMN thotë se ky zgjerim ishte ndër më të ulëtit në Ballkanin Perëndimor. Informaliteti i lartë dhe mbulimi i ulët i mbrojtjes sociale nënkuptojnë stabilizues të dobët automatikë, duke mos arritur të mbështesin gjerësisht popullatën e prekur.
Qeveria prezantoi përfitime përkohësisht më të larta të ndihmës sociale, zgjati sigurimin e papunësisë dhe ofroi subvencione për pagat për punëtorët formalë, anëtarët e papaguar të bizneseve familjare dhe punëtorët në sektorin informal nëse ato formalizohen.
FMN rekomandon që rritja e mbulimit të programeve të mbrojtjes sociale do të kërkojë rritjen e të ardhurave tatimore dhe të kontributeve të sigurimeve shoqërore duke zgjeruar pjesëmarrjen e fuqinë punëtore dhe duke reduktuar informalitetin.
