1 vit nga vrasja e Klodian Rashës, babai thirrje shtetit: Gjeni kush ia vendosi armën djalit tim para se ta bëj vetë
Kur ka kaluar një vit nga ekzekutimi i 25 vjeçarit pak metra larg shtëpisë së tij nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj, babai i Klodian Rashës kërkon drejtësi për të birin, Qazim Rasha kërkoi nga shteti të gjejë personin që vendosi armën pranë të birit të vrarë për të mbuluar krimin që bënë, dhe theksoi se nëse nuk do ketë reagim atëherë drejtësinë do ta bëjë ai vetë.
Këtë të mërkurë, 8 dhjetor u shënua një vit nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha, pak metra larg shtëpisë së tij nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdaraj gjatë orës policore.
Dhe kur ka kaluar një vit nga ngjarja që trazoi jo pak jetën sociale dhe politike, babai i Klodianit, mbart ende dhimbjen e madhe të humbjes së të birit pa asnjë faj.
Në këtë përvjetor, Qazim Rasha në një deklaratë për media ka kërkuar që shteti të bëjë zbardhjen e ngjarjes dhe të gjejë personin që ka vendosur armën pranë të birit të vrarë për të mbuluar krimin.
Babai i Klodianit paralajmëroi se nëse shteti nuk e vendos drejtësinë në vend, ai do ta bëjë vetë.
"Shteti e ka detyrim atë që ndoshta nuk e ka bërë derti tani ta bëjë dhe ajo është më esencialja që unë kërkoj; zbardhjen e inkriminimit që persona të caktuar apo segmente të caktuara u përpoqën që fëmijën ta përbaltin, ta inkriminojnë dhe të arrijnë deri aty sa të vendosin dhe armën pranë tij që fëmija të bëhet dhe kriminel. Sot është momenti që ja kërkoj shtetit që përbaltje e djalit, inkriminimin dhe vendosjen e armës aty bën mirë që ta gjejë sa unë nuk kam vendosur akoma ta gjej vetë," tha babai.

Efektivi i “Shqiponjave”, Nevaldo Hajdaraj vrau Klodian Rashën në orët e mëngjesit të 8 dhjetorit, ndërsa e qëlloi nga një distancë prej 5 metrash largësi.
Hajdaraj u arrestua fillimisht me akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, por hetimet zbuluan se vrasja ishte bërë me dashje dhe se mund të ishte evituar.
Vrasja e Klodianit nxiti një valë protestash dhe tensionesh politike në Tiranë, që çuan edhe në dorëheqjen e ish-ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Ndërkaq, 25-vjeçari Rasha u shpall Dëshmor, ndërsa familjes iu lidh pension i përhershëm nga shteti.



