Mesazhi i Metës përballë Azem Hajdarit: Liri, demokraci, jo më vonë, por tani!

Në 8-Dhjetorin e lirisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka zhvilluar homazhe përballë bustit të Azem Hajdarit në Qytetin e Studentit. Përballë shtatores së Azem Hajdarit ai ka dhënë një mesazh për Shqipërinë. Zoti President tha se ka ardhur koha që Shqipëria të bëhet si gjithë Evropa dhe të kthehet në shinat e lirisë.

 “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe ta rikthejmë në shinat e vërteta të demokracisë”, ishte ky mesazhi i një ish-studenti të veçantë të dhjetorit “90, si Ilir Meta në ditën e rinisë.

Meta: Jam këtu për të nderuar Lëvizjen studentore, në mënyrë të veçantë Azem Hajdarin i cili pati një rol kyç vullkanizues në ato momente kritike të historisë së Shqipërisë por dhe gjithë studentët e tjerë që dhënë jetën për demokracinë. Natyrisht dhe të gjithë atë që kurrë nuk i kanë tradhtuar idealet e dhjetorit dhe pluralizmit politik dhe tani është koha për një tirrje tjetër; ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa dhe ta rikthejmë në shinat e vërteta të demokracisë.

Presidenti shtoi se duhet të garantojmë të ardhmen e vendit larg çdo pikëpyetje dhe alternative boshe.

Meta: E rëndësishme është liria, demokracia dhe pluralizmi politik të kthehen në shina të qëndrueshme së bashku me të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Liri, demokraci, jo më vonë, por tani.

Dhe ashtu si 31 vite më parë, nga sheshi Demokracia, dhe i rreshtuar përballë bustit të liderit të asaj lëvizjeje, Azem Gahjdari, Ilir Meta i bëri thirrje të rinjve shqiptarë që të ngrihen dhe të marrin në dorë fatet e tyre dhe të vendit.