Shikoni golat, Messi me Mbappe shkëlqejnë me PSG. Leipzig mund pa trajner Man. City
Për Grupin A mbyllet faza e parë e Champions League. Në “Parc de Princes”, PSG bëri një ndeshje perfekte edhe pse pa objektiva teksa shkëlqyen Mbappe dhe Messi ku nga ky i fundit pritej shumë.
Në sfidën e fundit të grupit ndaj Club Brugge, skuadra e Pochettinos bindi me lojë dhe rezultat teksa fitorja finale ishte 4-1. Dy herë shënoi Mbappe fillimisht në të 2’ dhe të 7’ ndërsa Messi në 38’ vulosi fitoren.
Në pjesën e dytë Rits shënoi për miqtë në 68’ por Lionel Messi sërish në 76’ realizoi golin e dytë duke regjistruar për herë të parë një dopietë për parizienët të cilët gjithsesi e mbyllin Grupin në vendin e dytë.
Man. City që ishte pa objektiva, edhe pse me shumë titullarë në formacion u mund nga Leipzig që praktikisht është pa trajner pas shkarkimit të Marsch. Me në stol një të përkohshëm si Achim Beierlorzer, ekipi gjerman arriti të fitonte 2-1 ndaj ekipit të Guardiolës që në fund luajti edhe me 10 lojtarë për daljen e Walker me të kuq.
Fillimisht Szoboslai në 24’ i dha avantazhin skuadrës gjermane teksa Andre Silva dyfishoi në 71’. Mahrez shkurtoi diferencën në 76’ por sfida u mbyll me kaq, me një sukses që e çon Leipzig në Europa League si e treta e Grupit./Ora News/.
