Shehi i kënaqur me sulmuesit. Shkëmbi: Vuajmë nga mungesat, pres përforcime

Dy skuadrat kryeqytetase janë në pozita krejtësisht të ndryshme me Tiranën në krye dhe Dinamon në krizë. Bardheblutë po bëjnë mirë dhe për trajnerin Orges Shehi fakti që shënojnë sulmuesit është shumë pozitive për ekipin.

“Është pozitive kur shënojnë sulmuesit, pasi ata e duan golin. Jam i kënaqur për Taulantin dhe Ngoo që shënoi sërish pas javës së kaluar. Çdo trepikësh është i rëndësishëm, ne e kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin. Nuk e pamë Kastriotin si të fundit të tabelës, por e vlerësuam shumë. Për objektivat që kemi është shumë e rëndësishme vazhdimësia. Çdo skuadër kalon një ngërç, por nuk duhej të zgjaste shumë ky ngërç. Ne kemi ndryshuar në vazhdimësi të kundërshtarëve, e nisëm me 4-2-3-1 dhe kaluam në 4-3-3. Ka patur ndeshje që Seferi ka luajtur edhe në qendër, ai i bën të dyja rolet, por edhe mbrapa sulmuesit. Por, në këtë organikë që kemi funksionon më mirë kështu”, deklaroi trajneri i Tiranës.

Panoramë krejt tjetër është rreth Dinamos ku Bledi Shkëmbi e pranon se skuadra ka vështërësi dhe problem më i madh ka ardhur nga mungesa në mesfushë e titullarëve si Sidibe. Ai nuk e përjashtoi largimin e disa lojtarëve dhe afrimet në Janar.

“Unë mendoj se ne mund dhe duhet ta ndryshojmë këtë situatë. Në të gjithë ndeshjet kemi pasur grupin e cunguar, pasi vetëm sot na u kthyen 4-5 lojtarë dhe jam i bindur që nga java e ardhshme do të jemi më të fortë, por nuk diskutohet që po kalojmë një moment të keq dhe nga kjo situatë dilet vetëm duke fituar ndeshjen pasardhëse. Patjetër që mendja shkon te merkatoja e janarit, por unë mendoj shumë më shumë për rikthimin e futbollistëve të dëmtuar dhe atyre që kemi aktualisht në grup. Edhe merkatoja do të jetë në varësi të asaj çka do të japim në këto ndeshje. U pa edhe sot, pasi në pjesën e dytë me Sidiben patëm shumë qetësi dhe qarkullim topi. Nëse gjejmë një mesfushor tjetër në nivelin që ne e kërkojmë, patjetër që do të na bënte mirë. Disa lojtarë duhet të bëjnë më shumë dhe të kuptojnë më shumë për objektivat që ka klubi. Nuk mund të fshihet fakti që mund të ketë edhe largime, nëse vijnë lojtarë cilësorë në janar", u shpreh trajneri dinamovit pas humbjes me Teutën./Ora News/.