Salah kalon topin te drejtuesit: Jam gati të rinovoj me Liverpoolin

Këtë sezon Liverpooli po shkëlqen në të gjitha kompeticionet dhe meritë është jo vetëm e Klopp por edhe e një super lojtari si Salah që po bën gjëra të jashtëzakonshme. Sulmuesi egjiptian ka një kontratë që skadon në 2023 me “The Reds” por ai e shpreh hapur deshirën për ta zgjatur atë duke kaluar topin në anën e drejtuesve që duhet të bëjnë lëvizjen e duhur.

“Unë e kam thënë disa herë se nëse vendimi varet nga unë, do të qëndroj në Liverpool. Por ky vendim është në dorën e drejtuesve dhe ata duhet ta zgjidhin këtë çështje. U takon atyre të vendosin. Marrëveshje financiare? Vlera ime financiare tregon se sa shumë ju vlerëson klubi dhe sa është i gatshëm të bëjë gjithçka për të mbajtur një lojtar, por vetë vendimi nuk bazohet vetëm në çështje parash”.

Ylli i futbollit egjiptian preku edhe një temë shumë delikate pasi shpeshherë emri i tij lidhet me klube si Barcelona apo Real Madrid por përgjigja e tij është e prerë.

“Më bën të lumtur që një ekip si Barcelona është i interesuar për mua, por unë jam i lumtur te Liverpool dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë në të ardhmen. Për momentin preferoj të qëndroj në Premier League, sepse është kampionati më i fortë në botë”, u shpreh The Egyptian King në një intervistë të gjatë./Ora News/.