Nga ish shokë skuadre në trajnerë. Shkëmbi dhe Arapi nuk e prisnin një përballje të tillë

Renato Arapi dhe Bledi Shkëmbi kanë qenë dy lojtarë të rëndësishëm të Skënderbeut kampion që shkëlqu në Superiore por edhe në Europë. Ish mbrojtësi dhe ish mesfushori tani janë respektivishtë trajnerë të dy skuadrave të Abissnet Superiore teksa Dinamo dhe Teuta do të përballen për javën e 12-të të Superiores.

Trajneri i ekipit bregdetar, e pranon që nuk e priste një përballje kaq të shpejtë me Shkëmbin si trajner teksa shtoi se të dyja skuadrat vijnë në një sfidë që i gjen në moment të vështirë.

Atmosfera është shumë e mirë para ndeshjes me Dinamon. Të them të drejtën nuk e kisha menduar që do kishte ardhur kaq herët përballja me Shkëmbin. Si unë, si Bledi, jemi mësuar me sfida të reja. Mendoj se do të jetë një sfidë e bukur. Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Dinamon. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi, entuziazmi, që na jep shpresë për ndeshjen e ardhshme. Ato 2-3 gjëra që kam kërkuar, shpresoj që lojtarët t’i kenë memorizuar dhe t’i shfaqin edhe në fushë. Kam pasur kontakte me presidentin. E mendojmë merkaton e janarit, por nuk mund të flasim për emra konkretë. Jemi të fokusuar te ndeshjet dhe te rikthimi te fitoret sa më shpejt”, u shpreh trajneri i kampionëve në fuqi të Teutës.

Në kampin tjetër, trajneri Shkëmbi foli për disfatën e thellë me Laçin e njëkohësisht pranoi edhe ai se nuk e mendonte një përballje me ish shokun e skuadrës si rivalë dhe trajnerë me ekipe të ndryshme.

Me Laçin, ishte një rezultat i thellë dhe një ndeshje që jemi të ndërgjegjshëm që mund ta quajmë të turpshme. Nuk ishte vetëm problemi në mbrojtje, por ishte e gjithë skuadra. Kemi folur me skuadrën dhe jemi munduar të marrim përgjegjësitë dhe të kuptojmë se çfarë ndodhi aty. e rëndësishme është të gjejmë ekuilibrat dhe të mos përsërisim ndeshje të dobta. Koha ka qenë e pakët, por pas atij rezultati të atillë është më mirë që ndeshja e radhës vjen shpejt, nëse ke edhe karakterin e duhur. Arapi? Te Teuta edhe si lojtar apo trajner ka qenë pikënisja ime, pata sukses si trajner që shkuam në Kupat e Europës. Ndjesi e veçantë për Arapin, nuk e prisja të përballeshim kaq shpejt. I kam uruar suksese, më vjen mirë që shokët me të cilët kemi fituar te Skënderbeu janë bërë trajnerë apo drejtorë”, u shpreh trajneri i dinamovitëve./Ora News/.