Ylli i ri i Barcelonës: U stërvita një javë me Realin, më thanë nuk ke nivel
Pedri është zbulimi dhe një nga lojtarët më premtues të Spanjës e për më tepër lojtari rreth të cilit do të ndërtohet Barcelona. Ai fitoi trofeun Kopa si lojtari më i mirë i ri i vitit 2021 dhe së fundmi katalanasit e blinduan me një kontratë të re që mban larg klubet e mëdha por në fakt vet mesfushori ka zbulur diçka që mund të kishte ndryshuar gjithçka, karrierën e për më tepër fanellën e tij.
“Kam kaluar një javë teste me Real Madrid, duke u stërvitur në të ftohtë. Por, sipas tyre, unë nuk e kisha nivelin e duhur për të nënshkruar me atë klub dhe ishte Las Palmas që e pranoi (në moshën 15 vjeçare), një zgjedhje e natyrshme gjithsesi, sepse çdo fëmijë në Ishujt Kanarie ëndërron të luajë atje. Është ekipi më i rëndësishëm, së bashku me Tenerifen.
Aty kam mësuar shumë dhe, kur je 16 vjeç, kur hyn në botën profesionale, është e rëndësishme të jesh i shoqëruar. Pepe Mel ishte themelor në këtë proces. Kategoria e dytë e Spanjës është shumë e vështirë. Është një futboll tjetër: më i fortë, më fizik, nuk e ke topin si në La Liga me Barçën. Mendoj se duhet të theksojmë të gjithë përparimin që kam bërë në anën e mbrojtjes. Aty kam fituar përvojë”, deklaroi ylli i Barcelonës.
Në rrëfimin e tij nuk mungoi edhe eksperienca e tij me Messin ku Pedri tha se ka mësuar shumë teksa zgjodhi ndeshjen me Juventusin në Champions e para si titullar për të si më specialen. Talenti spanjoll tha me bindje se tani me një trajner si Xavi Hernandez ai do të mësojë shumë ndërsa Barça do të ringrihet sërish./Ora News/.

