Mancini i jep fund zërave të merkatos, sqaron të ardhmen si trajner
Te Man. United kanë emëruar Rangnick si trajner të përkohshëm por në shtypin britanik insistohet se në verë për t’i besuar një projekt të gjatë, klubi ka arritur një akord me Roberto Mancinin si trajnerin e ardhshëm. Këto aludime kanë shqetësuar jo pak tifozët italianë dhe Federatën teksa sot trajneri i Kampionëve të Europës ka bërë një reagim që vendos pikat mbi “I”.
“Një marrëveshje verbale me një klub të Premier League? Kjo nuk është e vërtetë. Qëllimi im është të shkoj në Kupën e Botës dhe të bëjmë më të mirën që ta fitojmë”, ishte reagimi i qartë i Mancinit.
Trajneri italian e pranon se skuadra e tij nuk bëri shumë mirë në eliminatore pas Euro 2020 e gjithsesi ai shton se Italia e ka fatin e saj në dorë.
“Edhe pse gjërat nuk shkuan shumë mirë në grup, ne duhet t'i pranojmë gabimet, duhet të përveshim mëngët dhe të fillojmë përsëri. Kemi ende disa mundësi, sigurisht që nuk ishte një short i mirë, por ne jemi kampionë të Europës dhe mund të vazhdojmë të fitojmë ndeshjen e parë dhe më pas të luajmë për finalen e playoff-it”, deklaroi Mancini./Ora News/.
