Ibra kundër Çalhanoglu: Kishte zero oferta, përfitoi nga fatkeqësia e Eriksen
Te Milani ende nuk e kalojnë lehtësisht tradhtinë e Hakan Çalhanoglu. Mesfushori turk gjatë verës iku me parametër zero nga Milani dhe kaloi në anën tjetër të qytetit duke firmosur me rivalët e përjetshëm të Interit duke ndezur një reagim të fortë mes tifozëve por edhe pakënaqësi te drejtuesit kuqezinj.
Ndërkohë edhe Zlatan Ibrahimoviç ka folur për këtë lëvizje dhe në librin e tij të ri “Adrenalina” e ka përshkruar në mënyrën e tij largimin e Çalhanoglu nga Milani.
“Duhet vetëm ta falënderojmë për atë që i ka dhënë skuadrës dhe t'i urojmë më të mirat për të ardhmen. Tingëllon keq ta thuash, por Calhanoglu përfitoi nga një situatë tragjike. Në mes të ndeshjes mes Danimarkës dhe Finlandës në Kampionatin Evropian, lojtari danez i Interit, Eriksen pësoi një atak kardiak. Pra, Interi kishte nevojë për një lojtar në atë pozicion dhe dera u hap për Hakan. Para atij episodi nuk kishte asnjë ofertë për të nga Interi apo ndonjë klub tjetër. Hakan është një djalë i mirë, ai është rritur shumë falë meje. Ai ka fituar guxim, besim dhe tani sfida e tij është kjo: A do të mund të bëj të njëjtat gjëra pa Ibrën?”, përfundon komenti i sulmuesit suedez që qartësisht nuk e pranoi as ai mënyrën e largimit të mesfushorit turk. Tashmë të presim përgjigjen e Çalhanoglu i cili po shënon rregullisht në ndeshjet e fundit…/Ora News/.
