Daja: Vllaznia nuk varet nga një lojtar, duam rezultat pozitiv në Shkodër
Të mërkurën në "Loro Boriçi", do të përplasen dy skuadrat më në formë të javëve të fundit, Vllaznia dhe Partizani.
Perplasjet e fundit mes tyre kanë prodhuar sfida të bukura me shumë emocione dhe e tillë pritet të jetë edhe takimi i radhës.
Në konferencën për shtyp, trajneri i të kuqve, Ilir Daja, foli me lëvdata për rivalët por theksoi se nê fund është rezultati që ka rëndësi.
"Vllaznia ka bërë një kampionat shumë të mirë vjet dhe e ka startuar edhe këtë sezon shumë mirë. Më kujtohen fjalët e një trajneri të Dinamos, i nderuari Bejkush Birçe që thonte ‘një lojë e bukur mbahet mend një javë, ndërsa rezultati hyn në histori’. Përballjet me Vllazninë janë ndeshje ku brenda është dhe kënaqësia dhe vështirësia. Ata luajnë një futboll të hapur, kjo shihet dhe nga golavarazhi, luhet në një vend që është komod se stadiumi ‘Loro Boriçi’ është një nga stadiumet e reja të Shqipërisë. Pavarësisht se tifozët shkodranë do të bëjnë tifo për skuadrën e tyre, dihet që nëse luan bukur dhe nëse merr pikë në Shkodër mund të dalësh edhe i duartrokitur".
Daja bëri edhe një panoramë tê gjendjes së ekipit teksa shpjegoi se rivalët e Vllaznisë nuk varen nga një lojtar dhe nuk u ndihen mungesat që mund të kenë.
"Në këto ndeshje të fundit ku kemi marrë fitore, kryesorja ka qenë dëshira dhe sakrifica e lojtarëve për të shkuar te rezultati. Unë do të kërkoja vazhdimësinë që të bëhet një miksim ku motivimi, dëshira dhe sakrifica të jenë të parat. Kemi paraqitur oshilacione në marrjen e rezultateve, duhet të stabilizohemi në momentin e parë në marrjen e rezultatit, pastaj për të pretenduar edhe më tepër. Kemi ndryshuar, por që ende nuk jemi ende aty ku duhet të jemi. Besoj që me rikthimet e gjithë kontingjentit dhe me përmirësimin e gjendjes fizike të lojtarëve që kanë qenë të dëmtuar besoj se do të jemi aty ku duhet. Vllaznia ka një ndër sulmet më të mira të kampionatit, por nuk besoj që janë të varur vetëm nga një lojtar. E rëndësishme për ne është që të fokusohemi tek të gjithë ekipi i Vllaznisë".
Lidhur me rikuperimin e Alban Hoxhës, trajneri i të kuqve tha se lojtari ka vazhduar stërvitjen me grupin, edhe në seancat stërvitoreluajmë, ai nuk është futur në portë për të mos rrezikuar. /Ora News/

