Aksidentet automobilistike/ 3 viktima në 24 orë, shkak dyshohet pakujdesia dhe lagështira në rrugë

Aksidentet rrugore në vend shkaktuan 3 viktima në dy ditët e para të javës. Mesditën e së martës në aksin Elabsan-Librazhd, makina e drejtuar nga një 21-vjeçar doli nga rruga.

Fatkeqësisht nga aksidenti humbi jetën i riu Rei Palloshi, i cili po drejtonte mjetin.

Siç duket edhe nga pamjet makina është përplasur me bordurën mbrojtëse dhe ka bërë disa rrotullime. Pavarësisht ndërhyrjes së banorëve të zonës, dhe policisë 21 vjeçari, Rei Palloshi nuk i mbijetoi dot plagëve.

Një tjetër ngjarje rrugore u shënua paraditen e së martës në Kavajë, ku viktimë mbeti Sulejman Goseni. 66 vjeçari u përplas nga një mjet i cili drejtohej nga Reis Hasa në autostradë.

Ndërkohë mbrëmjen e së hënës në Torovicë të Lezhës viktime e aksidentit mbeti një i moshuar i identifikuar si Ndue Sokoli.

Ka qenë 26 vjeçari Mark Doshi i cili duke drejtuar automjetin tip "Benz", ka përplasur 71 vjeçarin Ndue Sokoli, këmbësor, i cili për pasojë ka ndërruar jetë.

Pas aksidentit, 26-vjeçari ka braktisur mjetin dhe është larguar nga vendngjarja, ndërsa u arrestua pak orë pasi ai përplasi për vdekje 71 vjeçarin.

Viti 2021 ka shënuar përkeqësim të treguesve në lidhje me sigurinë rrugore pasi nga Janari deri në muajin tetor kanë humbur jetën nga aksidentet 165 persona.