Rinis bora në zonat malore, reshjet e shiut krijojnë rrëshqitje gurësh në rrugët kombëtare, mbushen HEC-et
Reshjet e dëborës u rikthyen në zonat malore në juglindje dhe veri të vendit, duke krijuar vështirësi në lëvizje dhe furnizimin me energji elektrike. Ndërsa reshjet e shiut kanë krijuar rrëshqitje dherash në shumë rrugë kombëtare, ku kërkohet kujdes. Basenet e tre HEC-eve mbi Drin janë mbushur, ku Vau i Dejës po shkon pranë pikës maksimale, por deri më tani nuk ka shkarkime.
Teksa i gjithë vendi vijon të përballet me motin e keq, në zonat e thella të juglindjes përfshirë edhe fshatrat turistike u rikthyen reshjet e dëborës.
Në rrugën Boboshticë-Dardhë, ku trashësia e borës ka shkuar deri në 12 cm, po punohet për ta mbajtur të hapur, ndërsa në akset Voskop-Voskopojë dhe Kamenicë-Qafë Qarri nuk ka probleme.
Reshjet e vazhdueshme të shiu kanë shkaktuar rrëshqitje gurësh dhe dherash në rrugët nacionale nga veriu në jug.
ARRSH thekson si më problematike akset Qafë Mali-Fierzë, Sopot-Kam, Koplik-Bogë, Dedaj-Razëm, Gramsh-Kodovajt dhe në zonën e Poçemit
Rrëshqitje gurësh pati edhe tek Kthesa e Murrasit në aksin Elbasan-LIbrazhd dhe atë Elbasan Rrogozhinë.
Situata është përmirësuar edhe në qarkun e Lezhës, ndërsa gjatë natës është bërë edhe pastrimi i aksit Lezhe-Ungrej, ku u bllokuan 9 fshatra.
Në verilindje, reshjet e dëborës janë rikthyer në Valbonë dhe vijojnë me intensitet të lartë në zonat malore të qarkut të Shkodrës.
Në Qafë Thorë trashësia e borës arrin në 80 centimetra dhe lëvizja në rrugë bëhet vetëm me mjete të larta të pajisura me zinxhirë.
Në zonën e Nënshkodrës, ku të hënën ishin rreth 150 hektarë tokë të përmbytura uji ka nisur të tërhiqet.
Lumejtë Drin, Buda e Dajç e Gjadër janë poshtë kuotës minimale nga ku nis leximi i prurjeve.
Reshjet kanë përmirësuar situatën hidrike në HEC-et në kaskadën e Drinit.
Në Fierzë, prurjet janë 800 m3/s, në Koman 350 m3/s dhe në Vaun e Dejës 630m3/s.
Liqeni i Fierzës ndodhet në kuotën 271.74 m nga 296 metra që është maksimumi, Komani është në 173.42 m nga 176 m.
Ndërsa Baseni i HEC-it të Vaut të Dejës është 64 centimetra nga niveli maksimal.
Të tre HEC-et mbi Drin mësohet se po prodhojnë energji me kapacitet të plotë dhe deri më tani nga Vau i Dejësit nuk ka shkarkime që mund të rrezikojnë përmbytje në zonën e Nënshkodrës.


