SPAK nuk hetoi “9 Janarin”, familjarët e viktimave: Ja zyrtarët e 2004 që kanë përgjegjësi

Dy ish-ministra të Qeverisë së vitit 2004 së bashku me ish- drejtorin e Policisë dhe ish-shefin e Shtabit të Ushtrisë janë paditur në SPAK nga familjarët e 28 viktimave të tragjedisë së 9 Janarit të atij viti. Të afërmit e personave që humbën jetën në gomone mes detit, thanë se SPAK ka refuzuar ta hetojë çështjen duke e dërguar në Vlorë, pasi sipas tyre përgjegjës për ngjarjen e rëndë janë persona me pushtet. Ata thanë se Prokuroria e Vlorës e ka mbyllur disa herë këtë dosje që duhet të hetohet nga SPAK.

Familjarët e viktimave të tragjedisë së 9 janarit 2004 i kërkuan SPAK të rihetojë çështjen për të zbardhur përgjegjësinë e një numri zyrtarësh të kohës.

"Ne duam zbardhjen e çështjes, ata fajtorë janë. Pëllumb Qazimi që nuk urdhëroi operacionin e kërkim-shpëtimit, Bajram Ibra që pengoi operacionin e kërkim-shpëtimit, dy ministrat Igli Toska dhe Pandeli Majko që nuk kanë ndërhyrë, Kudret Çela. Janë 30 faqe në SPAK, me fakte se shteti na vrau fëmijët. Këta nuk e zbardhin mos me dënu njerëzit që janë të veshur me pushtet. Nuk duam ta hetojë prokuroria e Vlorës se nuk ka tagrin me fut në burg ministra, deputetë e drejtorë policie".

Ata thonë se kallëzimi i bërë 4 muaj më parë nuk është hetuar nga SPAK, por dosja është transferuar në Vlorë.

"Kallëzimi është bërë para 4-5 muajsh. Këta e kanë çuar në Vlorë. Ne u kemi thënë që nuk e duam në Vlorë. Ne u kemi bërë kërkesë këtyre dhe përgjigjen na e ka kthyer Vlora. Fola me këta këtu dhe thanë do ta shohim. Ne kërkojmë ta hetojë SPAK, Vlora dy herë e ka mbyllur. Janë të korruptuar, nuk hetojnë. Ne e duam nga SPAK".

Të afërmit e shtetasve që humbën jetën pasi u nisën me gomone nga Vlora drejt Ytalisë, thanë se çështja është e dokumentuar në aspektin e hetimit, por Prokuroria e Vlorës kurrë nuk ka marrë vendimin për ta çuar dosjen në Gjykatë.

 "Janë 30 faqe në SPAK, me fakte se shteti na vrau fëmijët. Këta nuk e zbardhin mos me dënu njerëzit që janë të veshur me pushtet. Nuk duam ta hetojë prokuroria e Vlorës se nuk ka tagrin me fut në burg ministra, deputetë e drejtorë policie".

Familjarët e viktimave të tragjedisë në det kanë pikëpyetje të mëdha për operacionin e kërkim-shpëtimit, madje thonë se veprimi i gabuar apo mosveprimi i forcave detare shqiptare i rëndoi më shumë pasojat e ngjarjes.