Kuvendi i Berishës angazhon policinë, masat pritet të njoftohen me 9 dhjetor

Mbajtja e Kuvendit të PD-së të thirrur nga ish-kryeministri, Sali Berisha, në stadiumin "Air Albania" me 11 dhjetor ka angazhuar edhe forcat e policisë.

Burimet bëjnë me dije se deri me tani nga ana e organizatorëve nuk ka ndonjë kërkesë ndaj policisë për mbarëvajtjen e këtij grumbullimi.

Ndërkohë, deri tani policia është angazhuar vetëm sa i përket nevojës që mund të krijohet për rregullimin e trafikut nëpër akset pranë stadiumit.

Kur kanë mbetur edhe 4 ditë nga ky zhvillim politik që  është thirrur nga Berisha, i njëjti burim tha se deri atë ditë në varësi të situatës dhe kërkesave që mund ti adresohen Policisë së Shtetit, mund të ketë angazhim të shtuar edhe në lidhje me rendin e sigurinë.

Në lidhje më sigurinë ditën e shtunë, pritet që Departamenti i Sigurisë Publike me datë 9 dhjetor të bëjë edhe publikë masat e marra.