“U var në furgonin e policisë greke”, vëllai i 39-vjeçarit që vdiq në Malandrino: E vranë gardianët

Vdekja e të dënuarit shqiptar Adem Rusi vë sërish nën akuzë gardianët e burgut të Malandrinos në Greqi. Sipas mediave greke 39-vjeçari nga Maliqi u vetëvar me lidhesë e këpucëve, por vëllai i tij nga Korça ngriti dyshime se ai është vrarë nga gardianët. Për të zbardhur të vërtetën e ngjarjes, familjarët e Adem Rusit kërkojnë autopsi dhe hetime edhe në Shqipëri.

Ky është Adem Rusi, 39-vjeçari shqiptar që vdiq ndërsa vuante dënimin në burgun famëkeq të Malandrinos në Greqi.

Ngjarja u shënua më 2 dhjetor, por u mësua vetëm tre ditë më pas.

Mediat greke raportuan se ai i dha fund jetës duke u vetëvarur me lidhesën e këpucëve në furgonin e policisë që po e rikthente në qeli nga spitali pas një vizite mjekësore.

Por për vëllain e 39-vjeçarit nga fshati Zvezdë i bashkisë Maliq ky variant është pabesueshëm ndaj ngre dyshime për vrasje.

"Unë kisha folur 3 orë para ngjarjes me vëllanë në mënyrë private, më pas më morën në telefon dhe më thanë se e kemi dërguar në spital për vizitë mjekësore rutinë, më ka thënë drejtori i burgut. Pastaj më thanë që kish pirë klorinë dhe pas kthimit nga spitali vari veten me lidhësen e këpucëve. Kjo për mua është e papranueshme, është vrasje. Vëllai kishte edhe 2-3 muaj burg që të mbaronte dënimin. Ai ka folur me të gjithë njerëzit dhe askush nuk e beson që është vetvrasje, atë e kanë vrarë gardianët ata që e kanë shoqëruar.

Dyshimet se vëllanë ia vranë gardianët greke, Shkëlqim Rusi, i forcon duke theksuar se gjatë shoqërimit të burgosurve nuk u lejohen as rripa e as lidhesë, dhe duart i kanë në pranga.

"Ngjarja ka ndodhur në makinën e policisë, sepse ata thanë që ishte vetëvarur në kangjellën e furgonit. Kjo është e papranueshme, nuk lejohet shoqërimi i të burgosurit me rrip apo lidhëse për më tepër je me pranga dhe i shoqëruar. Kjo është një përrallë, që thonë autoritetet greke".

Për të zbardhur të vertetën ai kërkon që ekspertizë dhe hetime për vdekje  e Adem Rusit të bëhen edhe në Shqipëri.

"Ne kërkojmë që të bëhet autopsia këtu në Shqipëri, pasi presim të vijë këto ditë. Të bëhet autopsia pasi shteti jonë vetëm fle gjumë, janë vrarë shumë shqiptarë atje, pas vëllait tim mund ta ketë radhën dikush tjetër dhe nuk është zbardhur asgjë. Kemi shkuar në prokurorinë tonë dhe më kanë thënë që nuk kemi akses për hetime. Askush se merr përsipër, nuk duan belara, nuk di çtë them. Ne duam të bëhet autopsia dhe të dalë e vërteta. Vëllai nuk ka pasur asnjë problem me shëndetin mendor.Të varesh në furgon të policisë i shoqëruar nga gardianët nuk e beson asnjë fëmijë. Kërkojmë të zbardhet e vërteta".

Ndër vite në burgjet greke kanë janë vrarë dhjetra të burgosur shqiptarë.

Rastet më tronditesë mbeten ata të Pëllumb Marnikollajt dhe Ilia Karelit të cilët humbën jetën si pasojë e dhunës nga policia dhe gardianët greke.