ARRSH izolon bizneset në Durrës, operatorë dhe banorë të Sukthit në protestë: Na hapni rrugë dytësore!
Përfaqësues të bizneseve në dy anët e autostradës Tiranë-Durrës, dhe banorë të zonës protestuan të martën kundër aksionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili ka nisur ndërtimin e kanaleve për të ndaluar hyrje-daljet në autostradë. Bizneset thonë se kjo nismë e ARRSH, do të thotë falimentim i biznesit, ndaj kërkojnë zgjidhje urgjente. Kundër projektit janë edhe banorët e zonës që duhet të kryejnë lëvizje të përditshme.
Mijëra punëtorë të bizneseve rrezikojnë të mbeten papunë pas aksionit të nisur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në autostradën Tiranë-Durrës.
Përfaqësues të bizneseve dolën në protestë të martën, ku deklaruan se hapja e kanaleve nga ARRSH dhe ndërpreja e komunikimit me autostradën do të thotë mbyllje e aktivitetit.
"Pa asnjë lloj zgjidhje, pa asnjë lloj rrugëdalje, kërkohet mbyllja e aktivitetit të bizneseve. Mbyllet aktiviteti dhe mbeten mijëra punonjës që nuk aksesojnë dot dhe nuk mund të hyjnë në bizneset e tyre."
"Po shkojmë drejt mbylljes së bizneseve përfundimisht."
Ata thonë se zgjidhja duhet të jetë një rrugë alternative, dhe ulja në diskutime me autoritetet për këtë problematikë.
"Ndërtimi i një rrugë dytësore siç është nga Tirana deri në Vorë."
"Kërkesat tona bien në vesh të shurdhër."
Por duket se të prekur nga aksioni nuk janë vetëm bizneset, pasi kjo nismë e ARRSH për të hapur kanale buzë autostradës penalizon edhe mijëra familje të cilat jetojnë në dy anët e rrugës.
"Kërkojmë rrugëdalje. Jemi të bllokuar aktualisht, kemi fëmijët për të çuar në shkollë."
"Jemi të paralizuar për momentin."
Bizneset dhe banorët paralajmërojnë se nëse nuk do të ketë një zgjidhje nga ARRSH, protesta e tyre do të përshkallëzohet.
