Në Berat 61-vjeçarja hidhet nga ura në Osum, në Shkodër familjarët gjejnë të varur 35-vjeçarin
Një grua 61-vjeçare është mbytur mëngjesin e sotëm në ujërat e lumit Osum.
Mësohet se gruaja është hedhur nga Ura e Goricës rreth orës 09:00 të mëngjesit dhe kanë qenë kalimtarët e rastit ata që e kanë parë gruan dhe kanë njoftuar policinë.
Menjëherë pas njoftimit, forcat e policisë dhe Repartit Zjarrëfikës kanë filluar kërkimet në lumë. Rrjedha e ujit e kishte transportuar gruan e pajetë drejt fshatit Vodicë, ku edhe u gjet trupi i saj, që kishte ngecur në afërsi të digës.
Pas nxjerrjes nga uji,trupi i gruas u transportua drejt Morgut të Spitalit Rajonal Berat, ku edhe do ti nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore.
Nga verifikimet e kryera nga grupi hetimor u bë identifikimi i viktimës Mahmude Çili, 61 vjeçe, banuese në Velabisht.
Burimet konfirmojnë se identifikimi në morgun e Spitalit Rajonal Berat është bërë nga kunati i saj,që ka deklaruar se gruaja jetonte e vetme në një banesë në fshatin Velabisht pasi bashkëshorti kishte ndërruar jetë disa vite më parë dhe fëmijët jetonin prej vitesh jashtë shtetit.
Gjatë deklaratës së dhënë në polici, kunati i gruas së mbytur ka deklaruar se prej disa muajsh ajo kishte shfaqur probleme të shëndetit mendor dhe se shpesh herë dilte nga shtëpia dhe nuk kthehej me orë të tëra, duke detyruar komshinjtë dhe të afërmit ta kërkonin për ta gjetur e rikthyer në banesë.
Ndërkohë në Shkodër një 35-vjeçar është gjetur i vetëvarur në banesën e tij.
"Më datë 07.12.2021, rreth orës 07:45, në lagjen “Partizani” Shkodër, në banesë, është gjetur nga familjarët e tij, i pajetë dyshohet i vetëvarur shtetasi Gj. L. 35 vjeç".
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër po vijon punën për zbardhjen rrethanave të ngjarjes.
