Në treg ka shumë valutë, Euro në pikiatë, forcohet Leku!
Tregu i këmbimit valuator ka shënuar një luhatje të fortë së fundi me zhlverësimin e euros, ndërkohë që leku ka vijuar të forcojë pozitat në raport me monedhën europiane dhe atë amerikane. Sipas Bankës së Shqipërisë, të martën një euro u këmbye 120.92 lekë ose 0.23 lekë më pak se një ditë më parë dhe dollari ka humbur 0.09 pikë duke u këmbyer në kuotën e 106.97 lekëve.
Euro vijon rënien në tregun e këmbimit valutor duke bërë që leku të fitojë terren kundrejt monedhës europiane.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye me 120.92 lekë duke rënë për herë të parë këtë vit poshtë nivelit të 121 lekëve.
Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit të euros me lekun që nga 5 gushti i vitit 2019, kur kjo monedhë këmbehej me 120.75 lekë.
Nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar monedha europiane këmbëhej me 123.78 lekë.
Kjo rënie shpjegohet kryesisht me kërkesën e paktë për euro në raport me prurjet e saj, të cilat ngelen në nivele të larta.
Nga kjo situatë përfitojnë huamarrësit në monedhën europiane që të ardhurat e tyre i kanë në lekë.
Ndërkohë ata që humbasin nga ky nënçmim janë kryesisht eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve dhe subjektet që kanë kursime në euro.
Një mbiçmim i lekut në kursin e këmbimit me euron për momentin është një faktor që ndikon pozitivisht për të amortizuar presionet e jashtme inflacioniste dhe për të kufizuar përcjelljen e tyre tek çmimet finale të konsumit në vend.
Rënie të vlerës në tregun e brendshëm kanë pësuar dhe dollari, paundi britanik dhe franga zviceriane.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se monedha amerikane këmbehet me 106.97 lekë, paundi britanik me 141.81 lekë, ndërsa franga zvicerane ka arritur në kuotat e 116.11 lekëve.


