Dhunoi dhe e kërcënoi ish-dhëndrin se do ta vriste, arrestohet 67-vjeçari në Lezhë, i sekuestrohen armë

Policia e Lezhës parandalon një ngjarje të mundshme kriminale në familje. Në pranga ka rënë shtetasi Kanto Narkaj, 67-vjeç.

Sipas policisë ai ka ushtruar dhunë ndaj ish-dhëndrit për motive të dobëta dhe e ka kërcënuar se do ta vriste me armë zjarri.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë kanë marrë njoftim për një konflikt midis shtetasit K. N. dhe ish-dhëndrit të tij, shtetasit E. Ç., në fshatin Balldre, Lezhë. Sipas informacioneve, shtetasi K. N. kishte dhe armë zjarri në banesë.Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në adresën e dhënë, ku falë ndërhyrjes së shpejtë dhe profesionale, kanë arritur të neutralizojnë dhe të vënë në pranga shtetasin K. N., duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe ngjarjen e mundshme kriminale" njofton policia. 

Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit K. N., ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 1 mitraloz, 2 kallashnikovë, një granatë dore me ndezës të montuar, 4 krehra dhe 3979 fishekë.

Në përfundim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë u arrestua në flagrancë shtetasi Kanto Narkaj, 67 vjeç, banues në Balldre të Lezhës.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe "Dhuna në familje".

Dhunoi dhe e kërcënoi ish-dhëndrin se do ta vriste, arrestohet