Ligji për pensionet private në konsultim publik, propozohen dy forma të reja sigurimi
Qeveria do të ndryshojë ligjin për pensionet private. Ndryshimet sipas relacionit të projektligjit synojnë nxitjen e qytetarëve për t’ju drejtuar këtyre fondeve dhe krijimin e lehtësirave fiskale për të tërhequr interesin e tyre. Gjithashtu, drafti propozon dhe dy forma të reja për sigurimin e fondeve të pensionit.
Numri i ulët i pjesëmarrjes në skemat private të pensioneve ka detyruar qeverinë që të sjellë ndryshime ligjore për t’i nxitur qytetarët që të sigurohen edhe privatisht.
Argumenti bazë se pse po bëhen këto ndryshime përveç nxitjes dhe zgjerimit të këtij tregu lidhet dhe me qartësimin e disa aspekteve për menaxhimin e fondeve.
Projektligji, i cili është në fazën e konsultimit publik, propozon 2 forma të reja për sigurimin e fondeve të pensionit, me pjesëmarrje të hapur dhe të mbyllur.
Sipas relacionit të projektligjit, fondi me pjesëmarrje të mbyllur mund të krijohet nga një punëdhënës ose një entitet i organizuar si bashkim punëdhënësish, sindikatë, në cilësinë e sponsorit.
Kjo ndarje sipas argumentit të qeverisë i jep zgjidhje dhe problematikave të hasura deri më tani me shoqëritë administruese ku asetet e fondeve profesionale dhe asetet e fondeve individuale mbahen të bashkuara në një fond.
Po ashtu, qëllim është nxitja e pjesëmarrjes në skemë nëpërmjet rishikimit të politikës tatimore me synim krijimin e lehtësirave fiskale për anëtarët dhe përfituesit e fondit. Projektligji parashikon që një individ mund të sigurojë veten në skemat private të pensioneve deri në maksimumi 30 mijë lekë në muaj dhe për këtë shumë, ai të mos tatohet.
Disa nene të draftit parashikojnë rritjen e kërkesave për transparencë dhe sigurimin e informacionit për anëtarët e fondit. Gjithashtu synohet dhe nxitja e qëndrueshmërisë dhe mirëqeverisjes së shoqërive administruese të fondit të pensionit.
