Policia e Shtetit jep llogari te Siguria për OFL dhe asetet e konfiskuara, Vocaj: Nuk mund të dërgohen dosje të paplotësuara në SPAK
Deputetët e Komisionit të Sigurisë i kërkuan llogari policisë së shtetit rreth Operacionit Forca e Ligjit dhe asetet e konfiskuara prej tij.
Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, tha se OFL ka pasur shtrirje gjatë 2020 dhe një numër i konsiderueshëm i referimeve janë dërguar në SPAK dhe po hetohen.
"Ndërkohë një numër i konsideruEshëm edhe për shkak të kohës nuk janë dërguar në SPAK, vazhdohet të dërgohen pranë prokurorive të rretheve gjyqësore në zbatim të ligjit Antimafia. Ka edhe një numër të caktuar të referimeve të këtyre çështjeve që janë në shqyrtim në gjykatat e shkallës së parë dhe Apelit lidhur me konfiskimin e këtyre pasurive" u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Tonin Vocaj, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, nënvizoi se hetimi pasuror është shumë kompleks dhe nuk mund të dërgohen dosje të paplotësuara në SPAK.
"7000 subjekte të evidentuara, të verifikuara rreth 500 subjekte, 293 janë referuar në SPAK. Ka raste që nuk referohen në SPAK pasi me gjithë hetimin e bërë diferenca e pasurisë nuk tregon se ka… Nuk mund të dërgohen dosje të paplotësuara. Duhet një analizë financiare, bilanc i pasurisë së ligjshme me pasurinë e paligjshme të përfituar nga këto subjekte. Vetëm gjatë këtij viti 395 raste të tjera janë referuar në prokuroritë e rrretheve gjyqësore dhe është veprimtari që do të vazhdojë".
