Rinia braktis fshatin, emigrimi drejt Greqisë ka mbyllur dyert e fshatit Aliko në Finiq
Fshatrat e vendit po boshatisen me ritme të shpejta. Të rinjtë nuk zgjedhin që të rrinë më në zonat rurale, ndërsa janë dyndur nëpër qendrat urbane dhe jashtë vendit. Një situatë të tillë po përjeton edhe fshati Aliko në Finiq. Edhe pse në fshat janë të regjistruar 1200 banorë, atje jetojnë vetëm 200 prej tyre.
Fshati Aliko në Finiq, ka 1200 banorë të regjistruar në gjendjen civile, por aktualisht këtu jetojnë vetëm 200 prej tyre.
Të rinjtë janë larguar në masë për shkak të papunësisë.
Emigrimi drejt Greqisë ka mbyllur dyert e fshatit.
"Të rinj nuk ka këtu, kanë ikur jashtë shtetit se nuk i mban vendi këtu."
Të moshuarit janë banorët e vetëm të mbetur në zonë. Jetojnë me pensionin dhe bujqësi. Por siç thonë, kjo nuk u mjafton për t’u siguruar jetesën.
"Unë jetoj me pension, të ardhurat këtu janë kush me bujqësi, kush me blegtori, kush Greqi."
Gjatë dimrit shtohen dhe problemet për banorët, pasi shpeshherë ata mbeten në errësirë. Në ditët me shi, energjia elektrike shkëputet për orë ose ditë të tëra.
Papunësia është arsyeja kryesore që fshati dikur i mbipopulluar, tani ka mbetur i zbrazët.



