Banorët e lagjes 13 në Durrës në protestë: Duan të shtrojnë asfalt pa hapur kanalizimet
Bashkia e Durrësit ka nisur shtrimin e rrugës në lagjen 13 në zonën e Plazhit. Makineritë kanë zbarkuar aty, ndërsa ka filluar edhe hedhja e asfaltit.
Por, banorët janë kundër. Ata thonë se nuk mund të asfaltohet rruga pa bërë asnjë kanalizim.
“Ne nuk jemi kundër rrugës por kundër planit rregullues. Vijnë të shtrojnë rrugën pa hapur kanalizimet. Ne mbytemi në ujë” thotë një banor.
Një tjetër u kërkon të mos hidhet asfalt pa hapur kanalizimet.

Të revoltuar shprehen se punimet po kryhen në mënyrë skandaloze, pasi ujrat e zeza dhe ato që grumbullohen nga shiu nuk kanë ku të shkojnë nëse nuk bëhen kanalizimet.
”Duan të hedhin asfalt e të ikin. Duam kanalizimet se vuajmë ne jo këta” thojnë banorët.
Ata tentuan të komunikojnë me drejtuesit e punimeve, por nuk arritën të flasin me asnjë, ndaj lajmëruan policinë.
Banorët janë shprehur se kanë bërë kërkesë në bashki për rrjetin e kanalizimeve, por një gjë e tillë nuk është marrë parasysh.



