Arrestimet për shitjet online, porositë pa faturë dërgoheshin në Shqipëri, Kosovë e Maqedoninë e Veriut
Një rrjet agjencish të blerjeve online është goditur së fundi nga policia e Tiranës, e cila ka vënë në pranga gjashtë persona të akuzuar për kalimin e mallrave kontrabandë. Kontrollet e policisë në gjashtë magazina në Tiranë sekuestruan artikuj me vlerë mbi 1 milion euro, ndërkohë që rrjeti i shpërndante porositë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut duke shmangur deklarimin e mallrave në doganë dhe në tatime.
Gjashtë persona u arrestuan policia e Tiranës me akuzën se kishin krijuar një rrjet postar të blerjes dhe shpërndarjes së mallrave të ndryshëm që dërgoheshin kontrabandë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Gjatë operacionit të koduar me emrin “Fast Delivery” policia ka sekuestruar edhe artikuj të ndryshëm të mbërritur me Postë në Shqipëri me vlerë mbi një milion euro.
Hetimet e ndjekura nga krimi ekonomik në bashkëpunim edhe me drejtorinë e Tatimeve zbuluan këta shtetas i dorëzonin porositë të pashoqëruara me faturë.
Sipas hetimeve gjashtë organizatorët e këtij aktiviteti punonin përmes faqeve të ndryshme në Facebook dhe Instagram ku merrnin porositë, ndërkohë që bizneset e tyre kanë rezultuar të paregjistruara.
Megjithatë ata kishin krijuar një skemë për tregtimin dhe transportimin e produkteve që futen dhe dalin nga Shqipëria, duke mos iu nënshtruar regjimit doganor dhe për rrjedhojë tregtohen duke shmangur detyrimet.
Kjo skemë sipas policisë i ka shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik të konsiderueshëm përmes shmangies së detyrimeve doganore.
Policia ka sekuestruar 6 magazina, me një sasi malli të konsiderueshme të dyshuar kontrabandë dhe të papajisura me faturë tatimore.
Mes sendeve të sekuestruara janë edhe 300 lloje të ndryshme produktesh industriale si veshje, parfume, medikamente mjekësore, vegla dhe materiale ndërtimi të cilat kapin një vlerë të konsiderueshme, afërsisht 1 milion euro.
Hetimet e prokurorisë po shtrihen edhe në subjekte të tjera të cilët funksiononin në të njëjtën mënyrë si 6 personat e arrestuar ndërkohë që nën hetim janë edhe disa faqe online që merren me shitjen e mallrave të ndryshme.
