Paratë e pronarëve për plehra, qeveria përgjysmon fondin për kompensimin, u jepet bashkive për mbetjet
Fondi i parashikuar për vitin 2022 për kompensimin e pronarëve do të përgjysmohen, e po ashtu ulje do të ketë dhe buxheti i universiteteve. Qeveria ka kërkuar në Komisionin e Ekonomisë ndryshimin e buxhetit për vitin e ardhshëm duke u dhënë 5 bashkive më shumë para për mbetjet. Nga ana tjetër është saktësuar se akciza e gazit do të zbatohet në datën 1 korrik.
Mazhoranca ka vendosur të përgjysmojë fondin e vënë në dispozicion të kompensimit të ish-pronarëve në vitin e ardhshëm.
Në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë është vendosur që nga 5 miliardë lekë, për këtë kategori të jepen 2.5, pjesa tjetër do të shkojë për menaxhimin e mbetjeve dhe Agjencinë e Informimit Publik dhe Median.
"E prekëm këtë fond sepse me gjithë vullnetin tonë për të kryer të gjithë pagesat ka vështirësi në absorbim dhe jemi të vetëdijshëm që do të jetë e vështirë që fondi prej 5 mld të mund të disbursohet i tëri."
Ndërkohë opozita kërkoi që fondi për kompensimin e ish-pronarëve të shtohet e jo të pakësohet.
"Çështjen e kompensimit të pronave, u bën 30 vjet, edhe moralisht nuk qëndron. Pse e hiqni, sikur ta ngrini me 20-30%".
Nga ky ndryshim do të përfitojnë shtesë Bashkitë Tiranë, Lezhë, Shkodër, Durrës dhe Elbasan.
Këtë përzgjedhje ajo e argumentoi me koston e depozitimit të plehrave.
"Ketyre bashkive iu është imponuar një standard i ri dhe fondi i shpërndarë ka marrë parasysh kostot shtesë të transportit dhe asgjësimit të mbetjeve".
Komisioni i Ekonomisë është përgjegjës në diskutimin e buxhetit, ndaj dhe Ibrahimaj saktësoi se ku do të ndryshojë projektbuxheti.
Vendosja e 6 lekë akcizë për gazin vazhdoi të prodhojë debat. Duket se pas presionit të publikut afati i zbatimit është shtyrë.
Në fjalën e saj ministrja Delina Ibrahimaj shtoi se në listçn e koncesioneve janë bërë disa ndryshime dhe janë saktësuar kostot e ndërtimit të Rrugës së Arbrit, Milot-Fierit dhe aeroporteve të Sarandës e Vlorës.
"Kemi hequr koncensionin e kolaudimit dhe kemi saktësuar shifrën e Rrugës së Arbrit, 40.3 miliard lekë me TVSH".
