I zunë "pritë" për sqarim, Veliaj shmang përballjen me banorët e "5 Majit": Këtu do ta presim

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duket se i druhet përballjes me banorët e rrugës "5 Maji"në kryeqytet.

Në këtë konstatim kanë dalë këta të fundit në protestën e radhës për mbrojtjen  e pronave të tyre nga projekti i rindërtimit në këtë zonë.

Burime të sigurta i kishin informuar ata për një vizitë të kryebashkiakut Veliaj, i cili në fakt nuk erdhi.

"Informacioni që do të vinte sot këtu ishte e sigurt. Mesa duket ka marrë vesh që banorët kanë dalë këtu dhe ka pasur frikë të përballet me ne."

Ata dolën në fillim të rrugës për ta pritur për këtë takim të shumëkërkuar me ngulm prej kohësh.

"Kemi kërkuar që ditën e hënë takim ai nuk vjen, nuk na pret në zyrë, nuk i përgjigjet thirrjeve tona. Ne do të dalim çdo ditë të mbrojmë pronat tona, këtu do ta presim."

Banorët kërkojnë nga bashkia të rishikojë kontratat, të cilat i konsiderojnë të njëanshme.

"Të përcaktohet qartë, ku, kur dhe sa do të marrë çdo familje."

Banorët shprehen e protestat e tyre do të përshkallëzohen edhe më tej nëse nuk do të zgjidhet problemi i tyre.

Në akt-marrëveshjen aktuale nuk janë të përcaktuara specifikisht koha kur do të marrin pronën e re pas përfundimit të projektit dhe si do të bëhet kompensimi.