"Pasha Zotin s'kam me i la faqet sot", Ujësjellësi i Rrethinave në Shkodër zvarritet prej dy vitesh, banorët pa ujë
Uji i pijshëm, mbetet halli pa zgjidhje në gati 2 dekada për banorët e Njësisë Rrethina në Shkodër. Bashkia e Shkodrës nisi dy vite më parë ndërtimin e një ujësjellësi të ri, por punimet po zvarriten dhe janë shtyrë me të paktën një vit.
Jo vetëm në verë, por edhe gjatë vjeshtë - dimrit fshatrat e njësisë administrative Rrethina në Shkodër vuajnë mungesën e ujit të pijshëm.
Banorët atje janë të detyruar që të udhëtojnë me kilometra larg shtëpive të tyre, për sigurimin e ujit të pijshëm, ose në të kundërt ta blejnë atë.
"Pasha Zotin s'kam me i la faqet sot."
Thonë se janë harruar nga bashkia dhe strukturat e tjera shtetërore, megjithëse premtimet i kanë patur të shumta, që ky problem të zgjidhje.
"Premtime sa të duash, fjalë boshe."
"U bënë 3 muaj që s'kam asnjë pikë në oborr, as të laj, asgjë."
Mbi 8 mijë banorë të këtyre fshatrave vuajnë mungesën e investimeve dhe prej 2 dekadash, sfida për sigurimin e ujit të pijshëm i ka bashkëshoqëruar.
Bashkia e Shkodres e nisi 2 vite më parë investimin për ndërtimin e ujësjellësit të Rrethinave, por zvarritjet gjatë rrugës dhe problemet e pronësisë, e kanë shtyrë përfundimin e tij së paku edhe për 1 vit.
"Do të thotë që pranvera e vitit tjetër ose fillimi i verës do ketë secili prej abonentë të njësisë Rrethinë ujë në çezmat e tyre në shtëpi," tha Mark Molla, drejtor i UKSH.
Pak ditë më parë kryeministri i vendit Edi Rama foli për një reformë të thellë dhe kritikoi këto ndërmarrje për mënyrën e menaxhimit
Por se sa do t'i dilet sfidës për të siguruar ujë 24-orë për këto familje, do të mbetet të shihet në vitet e ardhshme.
Për vitin 2021-shin beteja është humbur.

