Minorenët viktima të “Tik Tokut”, fëmijët në shkollat 9-vjeçare pranojnë: Shohim video agresive
13 vjeçari i gjetur i pa jetë në Lushnja ka tentuar të bëjë video në Tik Tok në sfidën ‘Black Out’. Për sociologët varfëria dhe bullizmi prej saj, por edhe të pasurit që nxiten nga dëshira për të arritur famën në mënyrë të shpejtë, i nxit fëmijët të përdorin rrjetet sociale e të bëhen të varur prej tyre. Problem për ekspertët është edhe sjellja e shoqërisë që i nxit të miturit drejt rrjeteve sociale
Një 13 vjeçar nga Lushnja është viktima e fundit nga lojërat e rrezikshme të gjendura në internet dhe rrjetet sociale. Për t’iu bashkuar sfidës Black Out minoreni tentoi të bënte video sikur po vetëvarej, por thika që mbante në dorë tregoi që nuk arriti të shpëtonte në momentin e fundit.
Tragjedia ka prekur jo vetëm familjen dhe miqtë. Për sociologët situata që po kalon shoqëria në këtë aspekt është edhe më alarmante pasi shpesh i shtynë fëmijët dhe adoleshentët drejt rrjeteve sociale dhe varësisë ndaj tyre. Zyhdi dervishi kategorizon dy shtresa të shoqërisë që janë më të rrëzikuar
“Përpjekjet për t’u bërë i njohur për një kohë të shkurtër në rrugë të lehta, ndikon që të rinjtë të bëjnë vetëvrasje. Nëse ai dhe për arsye të veshjes nuk thirret nga shokët dhe shoqet, ata ndihen të përjashtuar nga shoqëria.”
Përgjegjësi, sipas tij janë edhe institucionet që nuk ofrojnë aktivitete për këtë grupmoshë, në mënyrë që ti largojnë nga rrjetet socialet.
“T’i angazhojnë fëmijët në sa më shumë aktivitete, sportive, artistik, kulturore, me qëllim që fëmijët të mos bëhen skllevër të rrjeteve sociale.”
Edhe nxënësit në shkollat 9 vjeçare në Tiranë pranojnë se janë përdorues të rrjeteve sociale, madje, disa prej tyre thonë se ndjekin video me sjellje agresive.
“I vetmi rrjet social që përdor është ‘Tik- Tok”. Video të ndryshme, në shumë shoh me të shara se dalin më shpesh.”
Rreth 6 muaj më parë, në Malësinë e madhe një 10 vjecar humbi jetën, pasi dyshohet se po bënte një video për ‘Tik-Tok. Më herët ka qenë loja balena blu që vuri në alarm ekspertët nga mbarë bota, kjo për shkak të rrezikshmërisë që sillte.
