Zv/drejtori i Policisë: 1456 policë në aksion kundër krimeve ndaj mjedisit, 23 të arrestuar
Zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj ka prezantuar planin e policisë kundër krimeve mjedisore duke bërë edhe një bilanc për rastet e shkeljeve të identifikuara deri më tani.
Dervishaj tha se vetëm në dy javët e fundit janë evidentuar 215 raste të tilla. Janë 1456 policë të angazhuar për parandalimin dhe zbulimin e këtyre shkeljeve.
Policia ka arrestuar 23 persona, 184 janë vënë nën hetim në gjendje të lirë ndërkohë që 6 të tjerë janë shpallur në kërkim.
“Si rezultat i intensifikimit të veprimeve janë parandaluar ndërtime pa leje, janë prishur furra artizanale të prodhimit të gëlqeres, që përdorin kryesisht goma të automjeteve për djegie, janë konstatuar dhjetëra raste të prerjes së paligjshme të pyjeve, gërryerjes së lumenjve dhe ndotjes së tyre apo të hedhjes së inerteve, që shkaktojnë ndotje të ajrit. Në këtë kuadër janë proceduar dhe arrestuar personat përgjegjës të këtyre krimeve mjedisore. “- tha ndër të tjera ai.
Në këto krime mjedisore janë përfshirë 213 autorë të veprave të ndryshme penale, nga të cilët 23 janë arrestuar në flagrancë, 184 janë proceduar në gjendje të lire dhe 6 janë shpallur në kërkim.
Ai bën me dije se vetëm për 24 orët e fundit janë evidentuar 6 raste që kanë të bëjnë kryesisht me veprën penale “Menaxhimi i mbetjeve”, ku janë konstatuar kamionë që transportonin inerte, të cilat i kanë hedhur jo në vendet e përcaktuara, por kryesisht buzë rrugëve dhe lumenjve.
Sipas tij, shqetësuese mbeten ndërtimet pa leje, janë evidentuar 97 raste të tilla; prerja e paligjshme e pyjeve, janë evidentuar 55 raste dhe janë sekuestruar rreth 100 metër kub lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme. Po kështu shqetësuese janë edhe gërryerja e lumenjve, djegia e gomave dhe e mbeturinave, duke shkaktuar ndotje të ajrit.
Ai tha se Policia e Shtetit ka hartuar një plan të veçantë masash me detyra konkrete për çdo strukturë, me qëllim intensifikimin e punës së saj për parandalimin e tyre, shkëmbimin e informacionit, për rritjen e cilësisë së hetimit të veprave penale që lidhen me krimet mjedisore dhe bashkëpunimin me institucionin e Prokurorisë.

