Test droge për policët, 11 mijë efektivë do testohen nga mjekësia ligjore. Urdhri i drejtorit Gledis Nano

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Gledis Nano ka firmosur urdhrin me të cilin kërkon që 11 mijë efektivat e rendit ti nënshtrohen testit për përdorimin e drogës. Sipas urdhrit, analizat do të kryhen nga mjekësia ligjore ndërkohë që ky vendim vjen në një kohë kur vitet e fundit janë rritur shqetësimet për veprime të dhunshme dhe akte arbitrare nga ana e policisë së shtetit.

Politika prej vitesh debaton për kryerjen e testit për parlamentarët, por në këtë pikë duket se po e kalon policia e shtetit. Drejtori i emëruar pak javë më parë Gledis Nano ka kërkuar test për lëndët narkotike për të gjithë efektivët. Një gjë e tillë në fakt është parashikuar në ligjin dhe rregulloren e policisë së shtetit, por duket se deri nuk është realizuar

Tashmë Gledis Nano ka kërkuar nga drejtuesit zbatimin e plotë të këtyre detyrimeve etike dhe ligjore, për të verifikuar pastërtinë e të rreth 11 mijë policëve në të gjithë Shqipërinë.

Do të jetë mjekësia ligjore që pritet të mbledhë analizat për të dalë në konkluzione për rastet që do të zbulohen me shkelje.

Vitet e fundit raportet ndërkombëtare por edhe të dhënat e SHÇBA kanë treguar për një rritje të rasteve të sjelljes së padenjë nga efektivat e policisë. Madje në qendër të kritikave kanë qenë pikërisht forcat shqiponja, të kritikuara publikisht edhe nga kryeministri, por gjithsesi pa kaluar në aludime për përdorim të lëndëve narkotike.

Nga ana tjetër nuk kanë munguar as rastet e deklaratave se efektivë të ndryshëm bashkëpunojnë me grupe të trafiqeve të drogërave. Ndërsa konsumi i lëndëve narkotike mund ti bëjë ata dhe të varur prej grupeve kriminale.

Pas ndryshimeve të drejtorëve të lartë të policisë apo dhe të shefave të komisariateve ky është vendimi drastik i radhës i Gledis Nanos i cili më herët ka deklaruar se do ta sjellë policinë në shërbim të publikut.