Kurti: Serbia po sillet si Federata Ruse, i sheh vendet e rajonit si të përkohshme, do t'i dobësojë
Në një intervistë për një gazetë kroate, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe ka shprehur shqetësim lidhur me fuqizimin ushtarak të Serbisë.
Ai tha se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpska në Bosnjë po përpiqet të bëhet Bjellorusi dhe Mali i Zi dëshiron ta kthejë në Ukrainë, transmeton Gazeta Express.
Kurti, i pyetur se pse mendon se Vuçiçi dëshiron ta provokojë një konflikt ndërkombëtar dhe nëse e sheh atë si faktor për destabilizimin e Ballkanit, tha se Kosova nuk është problemi, por se Kosova ka problem dhe se problemi i Kosovës është Serbia.
Kurti: Nuk ka pluralizëm në Serbi. Ju keni një parti. Ajo parti është edhe shtet. Dhe ai shtet është kishë. Ajo kishë është parti. Nuk ka pluralizëm atje, po e luajnë demokracinë me zgjedhje. Së fundmi, Serbia i ka rritur shumë shpenzimet e saj ushtarake. Serbia aktualisht shpenzon më shumë për ushtrinë sesa pesë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku. Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Nuk e bën këtë për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë, dhe ky militarizimi i Serbisë është shumë shqetësues për ne. Përshtypja ime është se Serbia i ngjan gjithnjë e më shumë Gjermanisë mes dy luftërave botërore pas përfundimit të Republikës së Vajmarit.
I pyetur se si e vlerëson situatën e përgjithshme në rajon dhe nëse i frikësohet një përshkallëzimi të mundshëm të konfliktit në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se situata në Ballkanin Perëndimor është një situatë në miniaturë e rrethanave të Federatës Ruse.
Kurti: Gjithnjë e më shumë po tregohet se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse, në të cilën Republika Srpska në Bosnjë po përpiqet të bëhet Bjellorusi dhe ata duan ta kthejnë Malin e Zi në Ukrainë. Pra, thelbi është se Serbia nuk i pranon si shtete reale vendet që nuk janë në Bashkimin Evropian, d.m.th. Bosnjë e Hercegovinën, Malin e Zi, Kosovën, madje edhe Maqedoninë e Veriut, ndaj Serbia i konsideron këto shtete të përkohshme dhe angazhon të gjitha kapacitetet e saj për t’i dobësuar.
