Mjekësia me 150 kuota më shumë për t`iu përgjigjur mungesës së mjekëve në spitale

Largimi masiv i mjekëve jashtë vendit dhe mungesa e tyre në spitale ka detyruar Universitetin e Mjekësisë në Tiranë që të rrisë kuotat e pranimit. Për vitin e ardhshëm shtesa është 150 kuota, megjithëse autoritetet pranojnë se kjo masë nuk e zgjidh problemin.

Universiteti i Mjekësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë shtuar 150 kuota pranimi me qëllim për të përballuar mungesën e mjekëve dhe largimin e tyre nga vendi.

Megjithate autoritetet pranojnë se kjo masë nuk i jep zgjidhje mungesës së bluzave të bardha.

"Nuk besoj se kjo është zgjidhja e vetme. Projektojmë që rreth 500-600 kuota në vit duhet ti ketë Mjekësia për të përballuar qoftë lëvizjen e mjekëve jashtë vendit qoftë dhe për të plotësuar nevojat në rritje të sistemit."

Në ndihme të tyre do të vijnë universitetet e rretheve, por edhe spitalet rajonale.

"Jemi në diskutim me Universitetin e Durrësit dhe Elbasanit dhe nga ana tjetër kemi rënë dakord me Ministrinë e Shëndetësisë që disa sopitale rajonale të kthehen gjithashtu spitale universitare dhe bazë formuese e Universitetit."

Megjithëse është Universiteti më i kërkuar, këtë vit vetëm 10 studentë jane regjistruar në programin për mjekë urgjence dhe familjeje.

"Mjeku i familjes kishte 40 kuota dhe u plotësuan vetëm 5, te Urgjenca kanë qenë 15 kuota dhe u plotësuan gjithashtu 5."

Gjata foli dhe në lidhje me pandeminë, duke theksuar se dimri mund të jetë i vështirë.

"Në krahasim me vjet kemi gati të njëjtin numër të sëmurësh por kemi tre herë më pak shtrime në spital dhe mortaliteti nga sëmundja ra me 50%. Dimri që vjen natyrisht do të jetë më i vështirë se kjo periudhë që kemi kaluar por ajo që mund të na ndihmojë është vaksinimi i qytetarëve."

Autoritetet shëndetësore apelojnë të gjithë qytetarët të vaksinohen, për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth tyre.