Muri i betonit bllokon rrugën te "Ali Demi", banorët peticion bashkisë dhe ARRSH-së për hapjen

Me 30 tetor 2021 rruga "Sami Greblleshi" është bllokuar nga disa blloqe betoni. Kjo rrugë e rëndësishme lidh zonën e "Ali Demit" me bulevardin "Bajram Curri".

Pas krijimit të kësaj situate banorët e njësisë 1 i kanë adresuar bashkisë Tiranë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar një kërkesë zyrtare bashkangjitur me firmosjen e një peticioni për zhbllokimin e qarkullimit.

Ata kërkojnë që të prishet muri që sipas tyre është ndërtuar pa leje duke kufizuar lëvizjen e qytetarëve.

Ndërsa thonë se edhe punonjësit që kanë kryer veprimet nuk janë identifikuar nëse i përkasin ndonjë institucioni apo kompanie private.

Në kërkesën e banorëve thuhet se ky aks përdoret dhe nga automjete të vogla si motora etj dhe bllokimi i saj bie ndesh me nenin 155 dhe 293 të kodit penal "shkatërrimi i rrugëve" dhe "pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit."

Banorët hedhin dyshime mbi objektin që do të ndërtohet në zonë pasi ndërkohë që punimet kanë filluar mungon tabela referuese me të dhënat e projektit.

Qytetarët janë shprehur se këtë çështje do ta ndjekin edhe në rrugë ligjore pasi kanë marrë një avokat për shqyrtimin e rastit.

Nëse institucionet nuk veprojnë banorët thonë se do të dalin në protestë derisa të marrin sqarime dhe informacionet e nevojshme.