Sako e Dakos nuk i bindet Ramës! Qyteti bëhet pis, drejtuesit sherr me njëri-tjetrin

 

Teksa në bashkinë e Durrësit drejtuesit e saj janë në një konflikt të hapur me njëri-tjetrin, Bashkia e drejtuar nga Emirjana Sako nuk i është bindur deri më tani urdhrit të kryeministrit Edi Rama për pastrimin e të gjithë terrritorit nga mbetjet.

Mbetje që mund të gjenden lehtësisht në rrugë ose pranë koshave të mbeturinave.

Është kjo panorama që të ofron e gjithë zona nga Porto Romano deri në afërsi të Urës së Dajlanit.

Dëmi ekologjik e shëndetësor është i madh, thonë banorët, pasi zona është e gjitha e banuar.

Kanali kullues i ujërave në Porto Romano është terësisht i bllokuar nga mbetjet.

"Çdo lloj sëmundje. Shteti ka një detyrim, gjynah i madh të kalojnë fëmijët."

Të njëjtën panoramë të ofron edhe aksi kryesor në lagjen 18 të qytetit.

"Jemi të shqetësuar, është mbushur me plehra, goma. Janë pa pastruar kanalet. Kontrollin duhet ta bëjë bashkia e Durrësit me policinë."

Pak ditë më parë kreu i qeverisë Edi Rama lajmëroi një aksion kombëtar të pastrimit të territorit.

Rama ia nisi nga Vlora, ndërsa urdhri i Kryeministrit duket sikur nuk ka arritur te kryetarja e Komanduar e Bashkisë së Durrësit, Emirjana Sako.

Drejtuesit aty janë mes një përplasje të brendshme, pasi nënkryetari Arbër Braho tha se institucionin ende e drejton Vangjush Dako, ndërsa menjëherë pas deklaratës ai u shkarkua nga Emirjana Sako.