Shpërndanin drogë në Dibër, bie në pranga i pesti i operacionit "Eklipsi"
Kapet dhe vihet në pranga një tjetër shtetas që ishte i shpallur në kërkim si i dyshuar i përfshirë në veprimtarinë kriminale në fushën e narkotikëve.
Policia e Dibrës ka arrestuar 23-vjeçarin T.T.
"Si rezulat i kontrolleve dhe informacioneve të marra në rrugë policore shërbimet policore të Hetimit të Krimit në DVP Dibër kanë bërë lokalizimin e vendodhjes se 23-vjeçarit dhe në orët e pasdites në qytetin e Peshkopisë falë punës së mirëorganizuar është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit T.T., 23-vjeç, banues në Peshkopi, i dyshuar se ka kryer veprën penale ‘Prodhim dhe shitje të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim" .
Ai ishte shpallur në kërkim që në gusht të këtij viti, ku në kuadër të operacionit policor të koduar "Eklipsi" u arrestuan në flagrancë 4 shtetas në një lokal.
Ata dyshohet se shpërndanin drogë në zona të ndryshme të qarkut Dibër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kokainë, 500 doza kanabis të bëra gati për tu shpërndarë, 2 automjete dhe 8 celularë.
Ndaj shtetasit T.T., Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, ka cakuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.