"Të parandalojmë pa qenë vonë!" Basha kërkon reagim të institucioneve pas ngjarjes horror në Fier

Edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër ndaj vrasjes makabre të 8 vjeçarit në Fier.

Në një postim në facebook,  Basha thotë se ngjarja e djeshme është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar dhe se duhet një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë.

Basha: Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen.Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve.Dita e djeshme, e cila jo për herë të parë na përballi me ngjarje të rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social. Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë.

Në Greçalli të Fierit iu dha lamtumira 8-vjeçarit që u vra barbarisht nga fqinji 38- vjeçar Klodian Çalamani, tashmë i arrestuar.

Dëshmitë e banorëve flasin për një krim të paralajmëruar dhe një njollë tjetër të zëzë për institucionet dhe drejtësinë që nuk funksionoi kur duhej.