"Shkarkimi i Presidentit", Gjykata Kushtetuese cakton datën: Seanca mbahet më 18 janar 2022

Gjykata Kushtetuese ka caktuar datën e seancës për çështjen e shkarkimit të Presidentit Ilir Meta. Seanca do të mbahet më 18 janar 2022 ora 10:00. Çështja e shkarkimit të Presidenti shkoi në Kushtetuese pasi 104 deputetë nga 140 që ka gjithsej parlamenti i Shqipërisë votuan pro shkarkimit të Presidentit Meta në qershor të këtij viti.

Në 18 janar, Gjykata Kushtetuese do të mblidhet për të shqyrtuar  fatin e Ilir Metës si President.

Gjykata Kushtetuese u vu në lëvizje pas vendimit të socialistëve për ta shkarkuar në Kuvend Kreun e Shtetit, seancë e cila u mbajtë me 9 korrik 2021 ndërsa 105 deputetë votuan kundër  Ilir Metës.  

Socialistët e kanë akuzar Kreun e Shtetit për shkelje të rënda kushtetuese e kjo lidhet me rolin e  tij në fushatën elektorale për zgjedhjet e 25 prillit por edhe për aktivitete të mëparshme. 

Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur me kërkesë të Partisë Socialiste  renditi  plot  16 shkelje kushtetuese.  

Nga ky hetim Komisioni Hetimor thekson se presidenti Ilir Meta u kthye në frymëzues të dhunës, duke shkelur nenin 88 të Kushtetutës si dhe atë 98 duke u përfshirë në fushatë elektorale.

Pjesë e provave të renditura në raport është edhe konkluzioni paraprak i monitorimit të zgjedhjeve të 25 Prillit nga OSBE-ODIHR, për të faktuar përfshirjen e Kreut të Shtetit në fushatë elektorale.

Komisioni mbërriti edhe në përfundimin se Presidenti përmes disa shkresave ndërhyri në punën e institucioneve të pavarura.

Shkeljet e Kushtetutës nga Presidenti Komisioni Hetimor në raportin final thotë se janë konsumuar gjatë 19 intervistave televizive, 9 deklaratave, 45 postimeve në Facebook dhe shkresave dërguar institucioneve.

Tashmë i mbetet organit më të lartë të mbrojtjes së Kushtetutës, gjykatës që të vlerësojë nëqoftëse gjetjet e Komisionit janë  të verteta apo jo dhe të vendosë mbi Ilir Metën.

Ajo çfarë e bën interesante, është fakti se Gjykata Kushtetuese do ta gjykojë dhe do të marrë vendim për Ilir Metën vetëm pak kohë para se Kuvendi të nisë procesin e konsultimeve për Presidentin e ri.

Ilir Metës mandati i përfundon në 24 korrik, por Kuvendi duhet të nisë procedurën për zëvendësimin e tij në fillim të muajit mars.

"Shkarkimi i Presidentit", Gjykata Kushtetuese cakton datën:

Meta: Shkarkimin tim nuk e kam fare në axhendë

Një ditë më parë, Meta në një intervistë për "Ora e Betit" në Rtv Ora tha se shkarkimi i nisur nga mazhoranca nuk ekziston si çështje në axhendën e tij.

Pyetje: Po kjo Gjykatë Kushtetuese pritet gjithashtu të vendosë edhe për kushtetutshmërinë e vendimit të Parlamentit të kaluar për shkarkimin tuaj. Çfarë do të bëjë Presidenti Ilir Meta në rast të një vendimi për shkarkim?

Presidenti Meta: Presidenti nuk merret fare me këtë çështje. Me këtë çështje merret vetëm Këshilltari Juridik i Presidentit të Republikës. Kemi disa këshilltarë, por Këshilltari kryesor zoti Bledar Dervishi. Kjo është një çështje që nuk ekziston fare në axhendën e Presidentit të Republikës Ilir Meta! Nuk ekziston fare një çështje e tillë!

Pyetje: Edhe në rast se Gjykata Kushtetuese vendos për shkarkimin tuaj?

Presidenti Meta: Nuk ekziston kjo gjë! Jo gjykata, por edhe gjithë bota e ka pasur të pamundur përpara 25 prillit të shkarkonte Presidentin e Republikës! Dhe sot mund t’ju them se edhe një nga qëllimet e atyre që nxitën djegien e mandateve, që nxitën lojërat për zgjedhjet vendore dhe gjithë ato kriza që u krijuan në Shqipëri, tani po kuptohet qartë si u krijuan, kush i krijoi, dhe që janë më të hershme se sa mendoni ju dhe ne: Ata kishin plan edhe shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, por nuk ishte ky problemi. Kishin në plan që edhe Gjykata Kushtetuese të kapej që para tri vitesh me shpejtësi.

I mbani mend ato që betoheshin te Lana apo nuk i mbani mend? I harruat ju këto gjëra dhe thoni: Ku jemi pas kaq kohësh në Shqipëri. I harruat! Harrojini! Se ju serviren lajme të tjera: Çfarë ka veshur Presidenti sot! Apo Presidenti e rriti tonin aty! Shikoni ata fermerët atje që po falimentojnë! Ai është problemi i  Shqipërisë, sepse në qoftë se bie mbjellja 30%, bie prodhimi aq, në invers shtohet numri i njerëzve që ikin. Se po nuk u mbështet bujqësia, po nuk u mbështet turizmi, do të ikin njerëzit se njerëzit e Shqipërisë me këto jetojnë, nuk jetojnë me reklama!