Vrasja në Fier, xhaxhai i autorit dënon krimin e kryer nga nipi: Ligj për varje, nuk është më për shoqëri

Vllasi Çalamani, xhaxhai i Klodianit, autorit  të krimit makabër në Fier ku i mori jetën një fëmije vetëm 8 vjeç e dënon aktin e rëndë të nipit.

"E dënoj aktin, i bëj thirrje kryetares së parlamenti ligjin me varje. Çe do, ai nuk është më për shoqëri. Ka marrë rrugë të keqe, çe do".

Ai thotë se i kishte tërhequr vëmendjen vazhdimisht që të punonte dhe të sillej mirë.

"I kemi folur vazhdimisht. Nuk shkoja me të se nuk dëgjonte, nuk ishte 14-15 vjeç që ti flisja, po shkonte 40 vjeç. I thoja të punonte, të sillej me shoqërinë dhe njerëzit. Nuk ka bërë kthesë".

Hera e fundit që e pa ishte mbrëmë para arrestimit duke kaluar në rrugë. Mohon që ai të ketë probleme të shëndetit mendor por thotë se ishte i alkoolizuar.

E ndërsa Klodian Çalamani ishte dënuar më parë për rrëmbimin e një të miture së bashku me një person tjetër, i moshuari thotë se nipi siç hyri dhe doli, nuk kishte reflektuar.

"Siç hyri dhe doli pa kthesa. Nuk zihej me njeri vetëm mos ta ngacmoje".

Te familja Vasiu nuk ka qenë ende për ngushëllim por thotë se do të shkojë pasi ka vetë fëmijë e nipër dhe ua kupton dhimbjen.

"Nuk kam shkuar për ngushëllim. Nuk ma merr mendja të merren me mua, nuk kam probleme me ta. Do shkoj për ngushëllime patjetër se kam dhe vetë fëmijë dhe nipër".