Ekzekutuan dhe e hodhën në rezervuar Fridman Xhaferajn, i dyshuari mbyll gojën para policisë: Flas me avokat

26-vjeçari Kristi Bixheku i vënë në pranga si autor i vrasjes dhe hedhjes në një rezervuar të Fridman Xhaferajt në Korçë, refuzoi të flasë gjatë marrjes në pyetje, duke deklaruar se përgjigje do të japë vetëm para gjykatës. Për krimin e muajit qershor në kërkim mbetet Lulzim Spahija.

Kristi Bixheku, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Fridman Xhaferajt në qershor të këtij viti, po hesht në polici pasi u vu në pranga në Tiranë.

26-vjeçari nga Lushnja ka deklaruar se do të japë dëshminë e tij në një moment tjetër në prani të avokatit, për mungesën e të cilit është ankuar edhe gjatë shoqërimit.

I riu që u kap tek spitali "Nënë Tereza" në kryeqytet është dërguar në Korçë, ku do të përballet me drejtësinë për akuzën e vrasjes me paramendim e kryer në bashkëpunim.

Në vijim pritet të dalë para gjykatës për tu njohur me masën e sigurisë arrest me burg dhënë në mungesë.

Fridman Xhaferraj u vra në Korçë dhe më pas u hodh në rezervuarin e Gjançit. Trupi  i pajetë u gjet nga një banor i zonës më 13 qershor të këtij viti.

25-vjeçari i kishte duart e lidhura dhe në trup e kokë kishte shenja dhune.

I dyshuari tjetër në krim, Lulzim Spahija, i njohur edhe me nofkën "Arapi", është është ende në arrati dhe policia nuk ka mundur ta vërë në pranga.

Sipas dosjes hetimore, tre të rinjtë kishin udhëtuar bashkë drejt Korçës ku qëndruan në një hotel në periferi për disa ditë në fund të muajit maj.

Atje 25-vjeçari Fridman Xhaferajt dyshohet se u vra për prishje të pazareve të drogës.

Njoftimi i policisë

Vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar të vrasjes së 25-vjeçarit F. Xh., ngjarje e ndodhur 5 muaj më parë në rezervuarin e Gjançit.

Operacioni i finalizuar nga DVP Korçë dhe Forcat e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Korçë, në bashkëpunim me DVP Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.06.2021, ku në rezervuarin e Gjançit, në Korçë, u gjet i pajetë shtetasi F. Xh., 25 vjeç, banues në fshatin Plug, Lushnjë, falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacioneve me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, si dhe koordinimit të veprimeve nga ana e Forcave të Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, u bë i mundur ndalimi i shtetasit në kërkim Kristi Bixheku, 26 vjeç, banues në Lushnjë.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 18.06.2021, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprën penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, në lidhje me ngjarjen e lartpërmendur, ku ky shtetas në bashkëpunim me shtetasin tjetër L. S., (i shpallur në kërkim) kanë goditur me sende të forta në kokë 25-vjeçarin F. Xh., duke i shkaktuar vdekjen.

Nga ana e policisë po vijon puna për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të bashkëpunëtorit tjetër, shtetasit L. S.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.