"Moment bashkimi", Gazment Bardhi: Kuvendi i 18 dhjetorit në Pallatin e Kongreseve, tregon rendin e ditës
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi deklaroi se Kryesia miratoi sot mbledhjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor
Kuvendi do të mblidhet në orën 11:00.
"Me kërkesë të kryetarit të partisë, kryesia vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD ditën e shtunë më datë 18 dhjetor, ora 11:00."- tha Bardhi.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi ka bërë me dije se në rend dite do të jenë:
-Vendimarrje mbi situatën politike si dhe marrjen e masave për të mbrojtur interesin e PD duke mos lejuar që problemet apo interesat personale të secilit anëtar të dëmtojnë interesin elektoral dhe politik të PD dhe axhendën e saj politike në përballje me regjimin e Edi Ramës.
-Miratimin e aksionit politik për të ardhmen e PD-së dhe shpalljen e platformës qytetare për demokraci, rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë, si dhe ndërtimin e mekanizmit të bashkëpunimit me të gjithë forcat e shoqërisë në përballje me regjimin e Edi Ramës.
-Tre, miratimin e programit organizativ të PD-së për të përgatitur strukturat e PD për zgjedhjet e ardhshme. Organizatat partnere, Forumi Rinor i PD, dhe Lidhja e Gruas, të paraqesin për miratim pranë Kryesisë së partisë Statusin e organizimit të tyre, ku parimet bazë të jenë të ngjashme më ato të PD. Çdo vendim apo akt tjetër që bie ndesh me këtë vendim të Kryesisë do përbënte dëmtim të interesave elektorale dhe politike të PD.
-Katër, ngarkohet sekretari I përgjithshëm për marrjen e masave organizative për njoftimin dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar.
-Pesë ngarkohet sekretari i përgjithshëm, forumi rinor, dhe lidhja e gruas për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi të Kryesisë”
Bardhi bëri me dije se mbledhja do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve, ndërsa ka shtuar se çdo anëtar do të jetë prezent për të shprehur vendimin e tij.
"Çdo anëtar do të jetë prezent për të shprehur vendimin e tij në mbledhjen e 18 dhjetorit. Ky, e kam theksuar dhe në fjalën time, është moment i rëndësishëm. Duhet të jetë moment bashkimi, pavarësisht diferencave në mendim. Ftova dhe kolegët që mendonin ndryshe. Pati një refuzim prej tyre për të bërë rendin e ditës, pasi kanë përfshirë dhe çështje të tjera. Duke treguar edhe një herë se ajo çka ka ndodhur para 2 muajsh s’ka pasur lidhje me mbledhjen e PD apo të anëtarëve të Kuvendit për t’u dëgjuar. Në 18 dhjetori, ora 11 PD zhvillon mbledhjen e Kuvendit në Pallatin e Kongreseve."- shprehet Bardhi.
