Basha: Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor. S’do të lejoj që PD-në ta marrin peng

Thellohet ndasia në PD. Pas 6 orëve mbledhje me kryesia e PD-së, Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se Kuvendi do të mbahej më 18 dhjetor dhe jo më 11 dhjetor siç shkruhet në formularët e 4200 delegatëve

Mbledhja e kryesisë zgjati gati 6 orë, dhe u shoqërua me debate të forta mes mbështetësve të zotit Berisha dhe kryetarit Basha. Por në prononcimin për median, jashtë selisë së PD-se, Basha siguroi mbështetjen e shumicës dërrmuese të anëtarëve të kryesisë për propozimin e tij për thirrjen e Kuvendit më datë 18 dhjetor.

Krydemokrati Lulzim Basha  falënderoi të gjithë ata që kanë votuar pro mbajtjes së Kuvendit, ndërkohë ka shtuar se nuk do të lejoj askënd që të marrë peng PD.

Lulzim Basha: Kuvendi Kombëtar do të mbahet më 18 dhjetor dhe jam krenar për vendimin e Kryesisë pas pothuaj 6 orësh diskutimesh, dua t’i falënderoj të gjithë, pavarësisht prej mendimeve apo votës së tyre, për përkushtimin që demonstruan dhe për legjitimimin e plotë të besimit që u kanë dhënë demokratët. Një parti, një kuvend më 18 dhjetor dhe e sigurt është që nuk do të lejoj askënd ta mbajë Partinë Demokratike peng.

Votimi

Propozimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori 26 vota pro, 3 vota kundër të anëtarëve Belind Kelliç, Ivi Kaso, Aldo Bumçi, 3 abstenim, 4 nuk morën pjesë në votim, dhe 2 mungonin.

E ndërsa mbledhja e kryesisë vijonte, ish kreu i PD-së Sali Berisha mbante një konferencë, ku deklaronte se nuk tërhiqej dhe se Kuvendi do të mbahet në 11 dhjetor. Konferenca për mediat u mbajt menjëherë pas vendimmarjes së Lulzim Bashës se kuvendi do të mblidhej më 18 dhjetor.

Mbledhja 6 ore

Mbledhja e kryesisë nisi në orën 16:00 dhe u mbyll rreth orës 21: 30. Tonet në mbledhjen e PD-së nuk kanë qenë të qeta. Akuzave të Bashës Edi Paloka i është përgjigjur me thirrjen për të ngritur padi në prokurori. Ndërsa Albana Vokshi e ka konsideruar ilegjitime mbledhjen e kryesisë duke theksuar se ka më shumë të emëruar se të zgjedhur, ndaj ka kërkuar respektimin e mbledhjes së Kuvendit në 11 dhjetor. Më tej Paloka edhe një herë ka kërkuar bisedime mes palëve duke u dhënë mundësinë që të vlerësojnë firmat e mbledhura.

Edhe Tomor Alizoti ka kërkuar uljen e tensioneve duke u bërë thirrje të dy palëve të nisin diskutimet me qëllim për të bashkuar partinë.

Por akuzat për përfshirjen e Suel Çelës kanë sjellë deri në prag të përplasjes fizike. Aldo Bumçi ka reaguar kundër deklaratave, ndërsa Jemin Gjana ka akuzuar ministrat e renditur në krah të Berishës së janë bërë milionere.  Ndërkaq Flamur Noka i ka kërkuar Bashës të flasë me emra se cilët delegatë janë kërcënuar.