"Kjo është një krizë e Lulzim Bashës jo e Partisë Demokratike", Bumçi: 4200 firma janë të vërteta
Shumica e kryesisë së Partisë Demokratike vendosi thirrjen e Kuvendit Kombëtar të PD në 18 dhjetor. Propozimi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori 26 vota pro, 3 vota kundër të anëtareve Belind Kellici, Ivi Kaso, Aldo Bumçi, 3 abstenim, 4 nuk morën pjesë në votim dhe 2 mungonin. Pas përfundimit të mbledhjes në një deklaratë për medien, Aldo Bumçi u shpreh se kriza është e kryetarit jo e PD.
Bumçi: Kjo është një krizë e Lulzim Bashës jo e Partisë Demokratike. Me kolegët tanë në atë sallë nuk ka ndan asgjë. Kemi 8 vjet në opozitë e kemi mbështetur në çdo aksion. U dogjën mandatet, protesta, u braktisën zgjedhjet lokale, çfarë i ka kërkuar demokratëve, deputetëve e kanë mbështetur. Nuk kemi ne ndarje me kolegët tanë, kjo është krizë e një personi që është sot kryetar i PD.
Ka 8 vjet dhe nuk shkuam në fitore. Është e vërtetë që kishim përballë një narko-shtet, por në 8 vjet kur ke bërë çdo aksion të fortë në rrugë me djegie mandatesh dhe me marrëveshje e nuk arrin dot fitoren vjen një moment dhe njerëzit thonë" çfarë do thuash më shumë, çfarë aksioni do propozosh që nuk e bëre." Këtu është një konsum i të gjithëve ne që nuk e mundëm Ramën, por si çdo parti peshën kryesore e mban kryetari. Është një krizë e kryetarit që në 8 vjet nuk shkuam dot në fitore. E dyta, çfarë bëri për masakrën zgjedhore 4 muaj? Çfarë do i thuash demokratëve kur i braktis?
E treta, vendimin për Sali Berishën mundohen ta paraqesin si një problem personal. Jo! Vendimi i referohet 2005-2013. A pranojmë ne si demokratë që ajo qeveri e korrupsionit, e rrënimit të demokracisë, ne nuk e pranojmë këtë përkufizim. As amerikanët nuk e pranojnë se na futën në NATO.
Bumçi shtoi se mbi 4200 firma janë të vërteta dhe ato janë partia reale, Kuvendi i Partisë Demokratike.
