Duma krah Bashës: 18 dhjetori ditë reflektimi, PD duhet të kthehet në parti garash
Në një dalje për mediet pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë në Partinë Demokratike, Grida Duma theksoi dhe një herë mbështetjen për kreun e PD-së Lulzim Basha. Ajo tha se e mbështet vendimin që Kuvendi të mblidhet në datën 18 dhjetor dhe e cilësoi si një datë ku çdo demokrat duhet të reflektojë.
Më tej, Duma tha se nëse PD nuk kthehet në një parti garash, nuk e meritojnë të jenë aty.
Duma: Sonte ka pasur një debat politik, disa kanë menduar në një mënyrë, disa në një tjetër. Ky është një moment politik i cili duhet përballur dhe besoj që data 18 e propozuar nga kryetari i partisë është data e cila përball situatën dhe vijon me ngjarjen si një veprim politik.
E kam mbështetur dhe do vijoj ta përgëzoj këtë vendim i cili është akt politik. Kam thënë një gjë të thjeshtë; kjo parti duhet të kthehet në një parti gare, kjo parti datën 18 të Kuvendit duhet ta përdorë për një reflektim jo thjesht për të kërkuar ndjesë dhe pastaj jemi të falur dhe të pafajshëm, por nëse ka një ndjesë për disa gjëra që kanë ndodhur përgjatë një rrugëtimi kjo duhet të jetë në raport me të vërtetën. Duhet të vendosë garën, votën dhe drejtësinë. Nëse PD nuk është një parti garash ne nuk meritojmë të jemi aty.
