Biznesi në Lezhë në krizë për punonjës, emigracioni ka vënë në vështirësi sipërmarrjet e prodhimit
Sipërmarrjet e prodhimit në Lezhë po vuajnë për punëtorë për shkak të fenomenit të largimit masiv të të rinjve, por dhe problematikave që kanë me pagesat e ulta apo kushtet e vështira të punës. Për të zgjidhur krizën, disa prej tyre janë detyruar të rrisin rrogat e të ngrejnë çerdhe e kopshte, për të tërhequr në punë gratë me fëmijë të vegjël, por sërish nuk mundin të plotësojnë nevojat për fuqi punëtore.
Mungesa e fuqisë punëtorë është kthyer në shqetësim për biznesin në Lezhë.
Në këtë fasoneri aktualisht janë të punësuar 250 persona, por nevojat janë edhe për 150 të tjerë.
Administratori i Fasonerisë thotë se ka ngritur edhe çerdhe e kopësht për të tërhequr në punë gratë me fëmijë të vegjël e që përndryshe nuk do të kishin mundësi të punonin.
"Kam dëgjuar që po kërkojnë punëtorë nga jashtë por unë do të bëj çmos që të rris mirënien e popullit shqiptar dhe të punësojmë shqiptarë sa më shumë, mos ti lëmë me ik shqiptarët jashtë".
Pavarësisht përpjekjeve, kompania nuk po mundet të plotësojë nevojat.
"Duke u shtuar puna, është shtuar dhe kërkesa për punëtorë."
Orët e zgjatura të punës, rrogat e ulëta dhe të padeklaruara plotësisht janë problematikat kryesore të denoncuara nga punonjësit e fasonerive ndër vite.
Por teksa po përballen me mungesën e fuqisë punëtorëve, sektori është detyruar të reagojë. Vetë punëtorët thonë se situata kanë ndryshuar.
"Jemi të kënaqur me transportin, me punën, me pagesën."
Sigurimi i punonjësve është kthyer në sfidë për disa sektorë në vend, situatë që sipas ekspertëve veç kushteve të punës lidhet edhe me largimet masive nga vendi të të rinjve dhe moshave aktive për punë.

