Berisha: Edi Rama me narko-shtetin mendoi se e mori peng PD-në, por nuk i llogariti demokratët

Nga Saranda ish-kryeministri Sali Berisha në Foltoren e radhës u shpreh se Foltorja është lëvizja më e madhe e 30 viteve të fundit lidhur me demokracinë.

Ai tha se Edi Rama festoi parakohe marrjen peng të pluralizimit në vend, duke menduar se i lau duart me PD-në.

Berisha: Qysh nga themelimi i PD-së deri më sot, shpreh gjithë mirënjohjen për ju dhe gjithë demokratët  e Shqipërisë, të cilën në një moment kritik të demokracisë shqiptare dhe PD-së, u ngritët fuqishëm në atë që do ta quaja me bindjen më të thellë qysh nga dhjetori i vitit 1990. Ky është një çast kritik ku pushteti shqiptar është i drejtuar nga narko-shteti i Edi Ramës dhe që shndërroi PD-në në një ministri të qeverisë.

Ju u ngritët dhe për herë të parë në historinë e Shqipërisë dhe Evropës, ju me firmën tuaj u bëtë zotër të PD-së dhe demokracisë shqiptare. Edi Rama festoi para kohe marrjen peng të pluralizimit. Ai mendoi se i lau duart me PD-në. Ai mendoi se tani do të mund të vendoste çdo gjë, pasi regjistroi çdo javë dhe muaj rekordet më të zeza të vendit. Shndërroi Shqipërinë në delen e zezë Evropës. Nxori në treg  kufijtë e Kosovës. Ai llogariti peng-kryetarin dhe jo mbarë gratë dhe burrat demokratë të Shqipërisë që nuk nënshtroheni. Foltorja është lëvizja më e madhe e 30 viteve të fundit. Ne që çmontuam sistemin komunist, do të rrëzojmë edhe narko-shtetin.