Afera 20 mijë € për lirimin e trafikantit, SPAK nis verifikimet për prokurorin e avokatin

Prokuroria e Posaçme SPAK, mësohet se ka nisur hetimet kryesisht për një prokuror në Gjirokastër dhe një qytetar të këtij qyteti.

Hetimet janë çelur nga Byroja Kombëtare e Hetimit, pasi janë vënë në dijeni mbi denoncimin e qytetarit në një nga emisionet televizive, i cili ka treguar se prokurori i Gjirokastrës, Emëror Kasaj, i kishte kërkuar para, në këmbim të ndryshimit të masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”.

Veprimet hetimore, tashmë po udhëhiqen nga një oficer i BKH-së, ndërsa janë sekuestruar dhe pamjet filmike të transmetuara në emisionin televiziv.

Veç rolit të prokurorit, Emëror Kasaj, ku dëshmitari flet se ka kërkuar 20 mijë euro për ndryshimin e masës së sigurisë, në verifikim është avokati i Leonidha Koçiaj, vetë ky i fundit i arrestuar për “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” si dhe dhëndëri i tij, që flet në media në cilësinë e dëshmitarit.

 Dhëndri i të arrestuarit me 103 kg drogë, Leonidha Koçiaj, shfaqet në pamje filmike duke folur për një Pazar që ata po kryenin mes avokatit të tyre dhe prokurorit të çështjes, Emëror Kasaj.

Ky i fundit, sipas tij i ka kërkuar 20 mijë euro, duke bërë ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie”. Sipas dëshmitarit sasia e eurove është marrë borxh tek persona të tjerë dhe se për këtë borxh, janë nënshkruar dhe kontrata tek noteri.

Pasi është liruar nga “arresti në burg”, Leonidha Koçiaj, një prej të arrestuarve, me rolin e ndërmjetësit, mes gjirokastritëve dhe vlonajtëve, u dënua me 7 vite burg dhe me gjykimin e shkurtuar mori 4 vite e 8 muaj burg. Momentalisht çështja kundër tij, është në pritje për tu gjykuar në Gjykatën e Apelit Gjirokastër