Pas Holandës edhe Franca e Gjermania shpresojnë: Konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të këtij viti
Pas Holandës sinjale positive vijnë edhe nga Franca e Gjermania për procesin e integrimit të Shqipërisë drejt BE-së.
Ambasadorët e dy shteteve reskeptive në një prononcim nga qyteti i Korçës, deklaruan se po punojnë dhe shpresojnë që konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut të bëhet brenda dhjetorit të këtij viti.
Vendet anëtare po synojnë të bindin Bullgarinë që të heqë veton dhe që çelja e negociatave të bëhet pikërisht gjatë presidencës së Sllovenisë.
Ambasadorja franceze Elisabeth Barsacq në një prononcim prë median u shpreh: Pyetja ose çështja e cila mua më shqetëson më tepër kryesisht në këtë moment është që ne të arrijmë të organizojmë konferencën e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut natyrisht me urimin më të madh që ajo të bëhet gjatë presidencës sllovene pra së shpejti dhe duke pritur gjithashtu edhe përfundimin e zgjedhjeve në Bullgari ashtu siç tha dhe kryeministri i Holandës i cili ishte në Shqipëri dje.
Ambasadori gjerman, Peter Zingraf: Unë do të nënvizoja ashtu siç tha kancelarja kur ishte në vizitë këtu ne punojmë të gjithë së bashku me partnerët në mënyrë që konferenca e parë ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të mund të realizohet brenda presidencës Sllovene dhe të jeni të sigurtë që në të gjithë po punojmë në këtë drejtim dhe shpresojmë që të bëhet.
Kryeministri i Holandës gjatë vizitës dje u shpreh se ishte i shqetësuar për rritjen e influencës ruse dhe të Kinës në rajon. Në konferencën për medien me kryeministrin shqiptar Edi Rama Rute la të kuptojë se shteti i tij po ndërmjetëson me Bullgarinë për të hequr veton dhe për ti hapur dritën jeshile Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në integrimin drejt BE-së.
Sllovenia mori presidencën më 1 korrik 2021 dhe do e mbajë deri më 31 dhjetor 2021. Kur presidencen e kishte Portugalia Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk morën dritën e gjelbër për konferencën ndërqeveritare me BE-në, që do t’i çonte dy vendet më pranë hapjes së negociatave të anëtarësimit.
