"Viti më i keq për prokurorinë", numri dy i KLP-së: Organi i akuzës në hall nga largimet për shkak të vettingut

Opozita kërkon  fonde shtesë për institucionet të vetingut, mandati i të cilave pritet të zgjatet. Gjatë debatit për buxhetin me përfaqësues të institucioneve në drejtësi, u kërkua llogari për vakancën e prokurorëve  dhe hartën e re gjyqësore.

Institucionet e drejtësisë nuk kanë pretendime për më shumë para nga buxheti i ri i shtetit.

Debatet për shpërndarjen e fondeve mbeten në hije gjatë diskutimit me deputetët pasi çështja thelbësore ishte vakanca e prokurorëve si pasojë e vetingut.

Balla: Numri i prokurorëve që po shteron ditë për ditë është problem dhe për KLP. Ky është viti më i keq për organin e Prokurorisë, 71 prokurorë të shkarkuar, 71 të konfirmuar në detyrë, 15 që kanë hequr dorë dhe daljet në pension dhe proceset njerëzore që kanë bërë që në total numri i prokurorëve në detyrë të 220 kur organika është 341. Prokuroria është në hall. Mbase miratimi i hartës së re gjyqësore do të bëjë njëfarë rregullimi por kjo është për tu parë. Sot për fat të keq nga shkolla e Magjistraturës këtë vit nuk presim asnjë student.Vitin tjetër në këtë kohë jemi në gjendje të emërojmë 22 prokurorë që kemi. Do të jetë më keq deri mot. Sa i takon OPGJ-ve janë në organikën e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ai e përcakton numrin. Personalisht mendoj se dyfishimi i numrit do të ishte ndihmë për prokurorinë.

Harta e re gjyqësore

Opozita paraqiti shqetësimin për hartën e re gjyqësore. Përfaqësuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë tha se për hartën ende nuk i është marrë asnjë mendim nga institucionet përgjegjëse e po ashtu rekrutimi i oficerëve gjyqësorë i përket Kryeprokurorit. Shkak për këto debate në Komisionin e Ligjeve u bë çështja e përfundimit të mandatit të KPK dhe Komisionerit Publik.

Balla: Ne si KLP nuk na është marrë asnjë mendim nga KLGJ apo Ministria e Drejtësisë. Në kontaktet me Ministrin e ri të Drejtësisë na është thënë se do jemi pjesë pasi të përgatitet një draft dhe ne do japim mendimin. Është e domosdoshme të japim këtë mendim pasi prokuroria është pjesë e pandarë e gjyqësorit. Hetimi penal është ajo që furnizon gjykatat. E kemi ngritur këtë shqetësim në mbledhje pasi as prokurori i përgjithshëm nuk është pyetur. Presim që Ministria e Drejtësisë dhe KLD dhe KLGJ të na japin draftin kush ja vlen të shkrihet dhe kush nuk ja vlen.

KLP, studim për vettingun?

Balla: KLP nuk ka përgatitur asnjë studim për vazhdimësinë e vettingun që në bazë të Kushtetutës pas qershorit  na takon ne kur përfundon afati 5 vjeçar i KPK dhe komisionerëve publikë që do zëvendësohen nga drejtuesi i SPAK. Pse nuk e kemi bërë? Kemi menduar se buxheti për kryerjen e rivlerësimit kalimtar është pjesë e buxhetit terësor të planifikuar për KPK për 2022 që shumë lehtë mund të transferohet deri në qershor për organet e vettingut dhe pjesa tjetër të na kalojë ne së bashku me KLGJ. Besoj se buxhet të planifikuar nga qeveria për këtë ka dhe duhet të ketë. Procesi i rivlerësimit është në realizim. Deri më sot kanë kaluar gjysma e prokurorëve dhe ndihmësave ligjorë. Janë 168 subjekte pa kaluar vettingun. Për 6 muaj mund të krijojmë një tablo më të qartë. Mundet që KPK ti kalojë komplet, mbetet për tu parë. Jemi në gjendje të bëjmë një ministudim. Buxheti për KPK dhe komisionerët mund të pjesëtohet në dysh për KLP dhe KLGJ. Pritet edhe zgjatja e mandatit, jemi në pritje. Do zbatojmë vendimmarrjen tuaj.

Vettingu nga KLP

Balla: KPK ka kapacitetin për të kryer vettingun. Kemi 3 vjet që bëjmë vettingun për magjistratët e rinj. Ne presim për tre vite duke filluar nëntori i vjetshëm presim  të na hyjnë në sistem 70 prokurorë të rinj që janë duke vazhduar shkollën e Magjistraturës.

Kushtetuta parashikon që me përfundimin e mandatit të KPK-së procesi i vetingut për pjesën e mbetur të gjyqtarëve dhe prokurorëve merret në dorë nga organet e reja të krijuara po prej reformës, Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë për prokurorët.

Deri tani rreth gjysma e gjyqtarëve e prokurorëve kanë kaluar në sitën e vetingut dhe për këtë arsye pritet zgjatja e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.